SYRI TV/ ‘Andrra e Nan’ Terezës’ tek Arturbina, Aliaj: Misionarja thotë vuaj megjithë ata

“Andrra e Nan’ Terezës – Njerëzorja Hyjnore” sjell në skenë një portret intim të Nanë Terezës, larg mitizimit, duke e vendosur atë mes vuajtjes së përbashkët dhe dashurisë universale për njeriun. Përmes interpretimit të Justinës Aliajt, shfaqja fton publikun të reflektojë mbi humanizmin.

Syri TV

Në skenën e Teatrit Kombëtar, do të ngjitet të premten mbrëma shfaqja “Andrra e Nan’ Terezës – Njerëzorja Hyjnore”. Përmes formës së ëndrrës, figura e Nanë Terezës zbret nga piedestali për të folur me zërin e njeriut që ka jetuar mes vuajtjes, jo mbi të. Aktorja Justina Aliaj, në një interpretim thellësisht intim, e sheh Nanë Terezën si një figurë që nuk ndahet nga realiteti i tokës.

Shfaqja refuzon çdo ndarje të prerë mes hyjnores dhe tokësores, duke e vendosur Nanë Terezën në një hapësirë ku besimi nuk predikohet, por jetohet.

Në këtë shfaqje, besimi nuk ka kufij fetarë, as etiketa identitare. Mesazhi i saj shkon përtej çdo dogme.

Për aktoren, sfida artistike ka qenë pikërisht gjetja e ekuilibrit mes shenjtërisë dhe njerëzores, mes tokës dhe qiellit.

Në qendër të kësaj përvoje skenike qëndron edhe bashkëpunimi i ngushtë me regjisorin Gëzim Kame, një proces krijues i ndërtuar mbi dialog dhe besim të ndërsjellë.

“Andrra e Nan’ Terezës – Njerëzorja Hyjnore” mbetet një ftesë për reflektim mbi dhembshurinë, mbi vuajtjen e përbashkët dhe mbi humanizmin që ende mund të na mbajë njerëz.