Mafia në sektorin ushqimor/ Neranxi: Betejat tona duhet t'i bëjmë vetë. Nuk i bën askush tjetër për ne

Një akuzë e rëndë është lëshuar publikisht mbi infiltrimin e mafias në sektorin ushqimor në Shqipëri, duke paralajmëruar se qytetarëve po u shiten produkte jashtë standardit dhe të falsifikuara.

Gjatë fjalës së tij në tryezën e PD me partitë e opozitë, shoqërinë civile dhe intelektualët, biznesmeni Nikollaq Neranxi, deklaroi se Shqipëria po përjeton një situatë të ngjashme me atë të Italisë së viteve '90, kur krimi i organizuar kishte shtrirë tentakulat në këtë sektor jetik.

Duke sjellë në vëmendje modelin italian, Neranxi theksoi se zgjidhja erdhi vetëm kur drejtësia nisi të ndiqte paranë ("ndiq paranë").

Gjithashtu Neranxi e përshkroi situatën aktuale në vend si sundim të një “pushteti kriminal”, i cili vepron në mënyrë më të sofistikuar dhe pa zhurmë, ndryshe nga e kaluara. Ai solli një shembull personal të dhjetë viteve më parë, kur ishte arrestuar me pranga vetëm sepse një klient kishte parkuar gabim pranë biznesit të tij. Sot, sipas tij, gabime të tilla të hapura nuk bëhen më. “Ata sot janë gangsterë që vendosin rregullat e veta në një shoqëri tashmë të asfiksuar, që vetëm po i bindet të keqes dhe nuk po reagon,” deklaroi ai.

Në fund të fjalës, u bë një thirrje e fortë për reagim qytetar, duke marrë si shembull rastin e Himarës.

“Kanë kaluar shumë vite dhe askush nuk erdhi t’i ndihmojë. Pronat janë grabitur dhe po grabiten përditë,” tha ai, duke përfunduar me mesazhin se betejat duhet t'i bëjnë vetë qytetarët, edhe duke sakrifikuar, sepse askush tjetër nuk do ta bëjë për ta.

Nikollaq Neranxi: Që mafia të futet në sektorin ushqimor, kjo nuk është e padëgjuar. Ne po përjetojmë tani atë çka përjetoi në vitet 90 Italia. Më lejoni shumë shkurt t'ju tregoj se si e zgjidh, të paktën për ata që na ndjekin, se këtu në sallë padyshim që e dinë po dhe mundësitë i kanë për t'i për të marrë informacionin. Pasi u çuan pas hekurave politikanët e lidhur me mafien, falë një drejtësie efiçente dhe një shoqërie që bënte presion për ndryshim, etapa e dytë ishte ndiq paranë. Dhe u zbulua se mafia kishte instaluar dhe investuar shumë edhe në sektorin ushqimor duke krijuar monopole dhe oligopole. Madje u zbulua se ushqimet që ata shisnin ishin të gjitha jashtë standartit dhe të falsifikuara. Dhe është logjike. Imagjinoni mafien që shet drogë, të kujdeset për cilësinë e ushqimeve dhe për shëndetin e popullatës. Çfarë bëri Italia për ta luftuar këtë fenomen dhe si funksionoi? Në ndryshim nga ne që këto probleme i trajtojmë si shkelje administrative, italianët i trajtuan si krim i organizuar. U përdor kodi antimafia. U aplikua konfiskimi i pasurive edhe pa dënim penal përfundimtar. Bizneset ushqimore u trajtuan si instrumente kriminale, jo si ndërmarrje tregtare. Natyrisht unë pres që drejtësia dhe opozita që ta ketë më në fokus këtë problem. Sot jemi në kushtet e një pushteti kriminal që punon në mënyrë më të sofistikuar dhe pa zhurmë. Shumë shkurt do të tregoj 10 vite më parë rastin kur më arrestuan në kompani sepse zhvillova një panair dhe dikush nga klientët kishte parkuar në një vend të që nuk lejohesh parkimi. Vijnë dhe më hedhin prangat. Më shoqërojnë në polici. I bëj një SMS zotit Berisha, në atë kohë që ta denonconte këtë problem dhe gjej dhe rastin dhe ta falenderoj shumë. Por ama sot nuk bëjnë më gabime të tilla. Që të bien kaq shumë në sy. Ata sot janë gangsterë që vendosin rregullat e veta në një shoqëri tashmë të asfiksuar, që vetëm po i bindet të keqes dhe nuk po reagon. Disa vite më parë, për ta mbyllur, unë i bëra një thirrje bashkëqytetarëve të mi himariotë që të ngrihemi të bashkuar e të mos të lëmë mafien të na grabisë pronat tona, po t'i mbrojmë ne tokat dhe pronat e trashëguara. Mirëpo ata nuk e prishën rutinën e tyre. Të bindur se do të ishin ca të tjerë që do të vinin dhe do të bënin luftën për ta. Kanë kaluar shumë vite dhe askush nuk erdhi të ndihmojë dhe pronat janë grabitur dhe po grabiten përditë. Pra betejat tona duhet t'i bëjmë vetë. Nuk i bën askush tjetër për ne. Edhe duke sakrifikuar.