Zjarri te tregu i '5 Majit', Blushi: Nëse ka qenë i qëllimshëm për të ndërtuar kulla, do të padis Edi Ramën si zjarrvënës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe njëherazi Kryetar i Grupit të saj Parlamentar, Tedi Blushi, ka reaguar nga tregu i shkrumbuar te “5 Maji” në Tiranë, duke e cilësuar situatën si apokaliptike dhe duke akuzuar institucionet shtetërore për reagim të vonuar dhe mungesë koordinimi.

Blushi tha se operacioni për shuarjen e zjarrit ishte i vonuar dhe se kjo ngjarje mund dhe duhej të ishte parandaluar. Sipas tij, infrastruktura e zonës dhe kaosi urban janë pasojë e një “masakre urbane” të kryer nga Bashkia e Tiranës, pasojat e së cilës po i vuajnë sipërmarrësit e vegjël që humbën gjithçka në flakë.

Ai kritikoi ashpër atë që e quajti “show propagandistik” të Ministres së Brendshme dhe mungesën e shpjegimeve nga Bashkia e Tiranës për mosfunksionimin e infrastrukturës së nevojshme, veçanërisht furnizimin me ujë për mjetet zjarrfikëse. Blushi theksoi se forcat në terren ishin të pakoordinuara, duke përmendur edhe raste ku është hedhur ujë në objekte të pabanuara, ndërkohë që bizneset digjeshin.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë ngriti dyshime se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, duke iu referuar precedentëve të mëparshëm në Tiranë, ku sipas tij, zjarret janë përdorur për t’i hapur rrugë ndërtimeve. Ai deklaroi se disa sipërmarrës dyshojnë se insistimi i tyre për të mos liruar ambientet ka sjellë si pasojë zjarrvënien.

Blushi e vendosi këtë ngjarje në kontekstin e një situate më të gjerë emergjente në vend, duke përmendur përmbytjet dhe katastrofat natyrore në disa qytete si Vlora, Durrësi dhe Gjirokastra. Ai shprehu solidaritetin e plotë me tregtarët e prekur dhe u zotua se Partia e Lirisë do të bëjë gjithçka për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Në përfundim, Blushi paralajmëroi kallëzim penal në rast se në këtë zonë do të jepet leje ndërtimi, duke theksuar se përgjegjësinë direkte e mban Kryeministri Edi Rama, si autoriteti që sipas tij miraton lejet e ndërtimit. Ai deklaroi se askush nuk duhet të përfitojë mbi sakrificat dhe pasurinë e sipërmarrësve të vegjël, të cilët kanë respektuar detyrimet ndaj shtetit.

Prononcimi për mediat i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, njëherazi Kryetar i Grupit të saj Parlamentar, Z. Tedi Blushi dje nga tregu i shkrumbuar te "5 Maji" në Tiranë:

Sigurisht që e kam ndjekur të ashtuquajturin, në fakt, operacion shumë të vonuar të fikjes së zjarreve, sikundër dhe ju keni raportuar në kohë reale, strukturat shtetërore kanë ardhur me shumë vonesë. 

Kjo situatë apokaliptike mund dhe duhet të ishte parandaluar dhe mjafton të shihni infrastrukturën për rreth për të kuptuar se çfarë masakre urbane dhe se cilat janë pasojat e masakrës urbane që ka ndodhur në bashkinë e Tiranës,  pasojat e të cilës i vuajnë dhe do ti vuajnë për një kohë të gjatë, në mënyrë krejtësisht të pamerituar, të gjithë ata sipërmarrës të vegjël, të cilët sot humbën pasurinë e tyre që u shkrumbua mes flakëve.

Me aq sa kam mundur të informohem, sigurisht që nuk mund të pranoj shown propogandistik të Ministres së Brendshme, të cilën e kam parë, në fakt,  u përpoq të fshihej mbrapa disa zjarrfikëseve me 10 a 15 bodyguard, nuk e di nga se ruhej, ruhej nga flakët apo nga zjarrfikësit e shtetit.

Këto janë shfaqje të cilat nuk thonë asgjë, të cilat nuk japin asnjë zgjidhje, sepse zgjidhja, së pari, duhet të ishte dhënë duke ndërtuar dhe duke u kujdesur bashkia që urbanizimi i Tiranës të mos ishte një kaos me pasoja kaq dramatike, për vet faktin se, sikundër e patë, ishte e pamundur që një numër zjarrfikësish që edhe pse erdhën me vonesë, forca të bashkisë, të Ministrisë së Mbrojtjes, ishin të pa koordinuar. 

Aq sa filluan spërkasnin me ujë edhe një pallat, që me sa u informova, ishte i pa banuar.

Mund të dëgjoni revoltën e drejtë të tregtarëve, të cilët ende nuk e dinë se çfarë ka ndodhur realisht. 

Uroj dhe shpresoj edhe pse dyshoj shumë, që zjarri të mos jetë i qëllimshëm, se në të kaluarën ne e kemi parë se si padurimi i zjarrit për ti hapur udhën mostrave të betonit, ka qenë një fenomen i njohur,  shumë kriminal, por real, i vërtetë që ka ndodhur në bashkinë e Tiranës. 

I kemi parë të gjithë se si janë shkrumbuar njëra pas tjetrës shumë nga simbolet e kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe historike të Tiranës, për t'u hapur udhën më vonë monstrave të betonit. 

Nga informacionet që unë kam paraprake dhe nga kontaktet që pata me disa sipërmarrës, ata dyshojnë që është insistimi i tyre për të mos lëshuar këto ambiente, që ka sjellë për pasojë, sipas tyre edhe një zjarrvënie që ata e dyshojnë që është e qëllimshme.

Dhe unë gjithashtu e dyshoj për sa kohë në Tiranë ne i kemi këta shembuj kriminalë, që na kujtojnë në fakt, djegien e magazave për të gjithë ata që e kanë lexuar dramën e Bertolh Brehtit "Arturo Ui". E njëjta metodë kriminale dhe fashiste

Janë të njëjtat skema kriminale, fashiste, mafioze që kanë ndodhur në këtë qytet.

Ndaj është i papranueshëm gjithashtu fakti, që në kurriz të këtyre sipërmarrësve të vegjël që kanë humbur gjithçka sot edhe për faj të shtetit, i cili reagoi me shumë vonesë dhe të cilët nuk e kishin të domosdoshme një show të tillë propogandistik të Ministres së Brendshme apo të Kryetares së bashkisë të Tiranës, e cila nuk dha asnjë sqarim publik se përse mungonte infrastruktura e domosdoshme në mënyrë që furnizimi me ujë për mjetet zjarrfikëse të kryhej në kohë reale dhe të mos pritej ndihma nga forcat e Ministrisë së Mbrojtjes. 

Sikundër është i papranueshëm fakti që sot vendi, në të katër anët e tij, ndodhet përballë një katastrofe. 

Katastrofë në Tiranë,  pra nga një anë përvëlohen dhe digjen bizneset e sipërmarrësve të ndershëm,  në anën tjetër përmbyten familjet e thjeshta shqiptare. 

Kemi katastrofa në Vlorë, kemi katastrofa në Durrës, kemi katastrofë në Gjirokastër,  tani mungonte dhe Tirana me këtë zjarr apokaliptik, të cilin sigurisht nuk e meritonin sipërmarrësit e ndershëm. 

Unë dua të shpreh solidarizimin e plotë me ta dhe sigurisht do të bëjmë gjithçka që kjo ngjarje kaq e rëndë të zbardhet njëherë e përgjithmonë. 

Dhe në rast se, po e paralajmëroj që sot, në rast se pas disa kohësh, ky terren do të jepet një leje ndërtimi, sigurisht që do të ketë kallëzim direkt për Edi Ramën.
Sepse është ai zyrtari u vetëm, i cili jep sot leje ndërtimi. 

Pra po e paralajmëroj që sot  edhe në cilësinë e deputetit të Partisë së Lirisë, që do të ketë kallëzim penal për këdo që guxon që me djersën, me gjakun, me mundin, me sakrificat e një jete të tërë të këtyre sipërmarrësve të vegjël, të cilët nuk janë oligarkë.

Të cilët në mënyrë të rregullt i kanë paguar taksat këtij shteti, kanë paguar taksat bashkisë së Tiranës, të ndërtojnë pasuri klientët e Edi Ramës, të cilët i kemi parë në fakt, nuk janë asgjë tjetër veçse grabitqare të pronave private, por sigurisht edhe të pronave publike të shqiptarëve. 
Faleminderit!