Presidenti çek shkakton zemërim pasi injoron të mbijetuarin e Holokaustit

Dhjetëra institucione çeke dhe grupe civile kanë nxituar ta nderojnë 88 vjeçarin George (Jirzhi) Brady, i mbijetuar i Holokaustit, pasi presidenti i tyre, Milos Zeman, tërhoqi ofertën për dhënien e nderimeve shtetërore, më 28 tetor.

Zoti Brady, hebre nga Kanadaja, me origjinë çeke, i cili i ka mbijetuar kampit nazist në Aushvic, u tha mediave çeke se ai ka marrë shumë ftesa pas tërheqjes së minutës së fundit të presidentit çek dhe  nuk është i sigurt se do të mund të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet.

Ai, po ashtu, tha se tashmë nuk dëshiron ta marrë çmimin shtetëror për shërbim publik, për të cilin Zyra e presidentit Zeman paraparakisht e kishte ftuar në Pragë. 

“Nuk jam i interesuar. Kam plane të tjera”, i tha zoti Brady programit të radios çeke, Radiozhurnal, më 24 tetor.

Por, ai ka theksuar se ishte jashtëzakonisht krenar me çmimet që i dhanë organizatat e tjera, duke treguar vetëdijen e çekëve për mizoritë e Holokaustit.

Ky person, i cili jeton në Toronto të Kanadasë, ka marrë mirënjohje për përpjekjet e tij për mbështetjen e fushatave globale për përkujtimin e Holokaustit. Në të kaluarën, Brady për punën e tij, pos të tjerëve, ishte nderuar nga mbretëresha britanike, Elizabeta, dhe nga qeveria gjermane.