Suedia hedh poshtë idenë që fuqitë e mëdha të bëjnë 'si të duan'

Ministrja e Jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard, tha se ajo e hedh poshtë një botë ku fuqitë e mëdha bëjnë çfarë të duan, pas kërcënimeve të ripërtërira të SHBA-së për të përvetësuar Groenlandën dhe veprimit të saj ushtarak në Venezuelë që kapi Presidentin Nicolas Maduro.

"Nuk dua të jetoj në një botë ku ka fuqi të mëdha që bëjnë çfarë të duan. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme, që Suedia të mbrojë të drejtën ndërkombëtare në këtë fazë shumë kritike", tha Stenergard për Lajmet e Radios Suedeze të mërkurën.

Duke kritikuar komentet e Uashingtonit mbi Groenlandën, ajo tha se thirrjet e SHBA-së për të marrë territorin, ishin shqetësuese dhe theksoi se ishulli nuk është në shitje.

Stenergard tha se Danimarka dhe SHBA-të, duhet të pajtohen me vërejtjet e fundit dhe të kthehen në marrëdhënien bashkëpunuese me të cilën janë mësuar, duke u larguar nga retorika aktuale.

Ajo e përshkroi momentin si një udhëkryq, për faktin nëse parimet e së drejtës ndërkombëtare do të vazhdojnë të mbështeten.

Stenergard tha gjithashtu se qeveria e Suedisë beson se veprimi i fundit ushtarak i SHBA-së në Venezuelë, nuk ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Duke iu referuar një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku Danimarka tha se veprimet e SHBA-së ishin një precedent i rrezikshëm, Stinnegaard u pajtua dhe tha se SHBA-të nuk e justifikuan ndërhyrjen e tyre në terma të së drejtës ndërkombëtare, por si një operacion për luftimin e krimit.

Pas operacionit ushtarak amerikan të 3 janarit në Venezuelë që kapi Maduron, Trump përsëriti thirrjen e tij për marrjen e Grenlandës për interesa të "sigurisë kombëtare".

Groenlanda është një territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, dhe ka hedhur poshtë vazhdimisht propozimet që sugjerojnë çdo transferim të sovranitetit te SHBA-të./AA.