‘Do na zërë struktura brenda’ - Zjarrfikësit ‘në luftë’ me flakët te ‘5 Maji’

Zjarrfikësit po luftojnë me flakët që po përhapen në tregun e rrobave të përdorura në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë.

Zjarri i cili ka rënë afro dy orë më parë, është tejet masiv dhe është përhapur në çatinë e një magazine tjetër.

Gazetari i Syri TV informon se janë 3 pallate në afërsi të magazinës së përfshirë nga zjarri masiv, ndërsa tymi i zi që ngrihet lart nga djegia e materialeve të ndryshme është futur brenda njësive të banimit.

Ndërkohë 11 mjete zjarrfikëse dhe 60 punonjës ndodhen në vendngjarje dhe po luftojnë me flakët.

Prefekti i qarkut tha se është kërkuar dhe ndihma e ushtrisë.

Në një video të siguruar nga Syri Tv shihen zjarrfikësit që përpiqen të shuajnë flakët edhe nga brenda magazinës, duke rrezikuar madje dhe jetën.

Ata dëgjohen teksa u thonë njëri-tjetrit që të tregojnë kujdes dhe të ruajnë veten, pasi pjesë nga struktura e çatisë shkëputen.