Panariti: Hidrovori i Porto Romanos dhe keqqeverisja po fundosin Durrësin me shiun e parë

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, Edmond Panariti, ish-ministër i Bujqësisë, theksoi se përmbytjet e ditëve të fundit në Durrës dhe zona të tjera të vendit nuk janë thjesht një fenomen natyror, por një “simptomë e qartë e keqqeverisjes”. Ai argumenton se situata aktuale është rezultat i mungesës së investimeve dhe një “çoroditjeje totale organizative” në administrimin e sistemit të kullimit.

Sipas Panaritit, drama kryesore qëndron në mungesën e sinkronizimit mes pushtetit qendror dhe atij vendor. Kanaleve primare i menaxhon Ministria e Bujqësisë, ndërsa ato dytësore dhe tretësore i administron bashkia, duke krijuar boshllëqe koordinimi dhe duke paralizuar sistemin e kullimit. Ai shton se fondet e alokuara për mirëmbajtjen e kanaleve shpesh nuk përdoren për destinacionin e tyre, dhe bën thirrje që prokuroria dhe organet hetimore të verifikojnë përdorimin e tyre.

Shembulli më flagrant, sipas tij, është hidrovori i ri i Porto Romanos, i cili nuk funksionoi gjatë reshjeve intensive, për shkak se niveli i pompave ishte instaluar gati një metër mbi vijën e kullimit, duke shkaktuar përmbytje masive. Panariti paralajmëron se për sa kohë sistemi i kullimit mbetet i paralizuar dhe i keqmenaxhuar, Shqipëria do të vazhdojë të përjetojë përmbytje dramatike me çdo rrebesh shiu, duke rrezikuar jo vetëm pronat, por edhe shëndetin publik.

Pjesë nga deklarata:

Të trupave të emergjencës civile. Aty unë kërkoj të shoh edhe inspektorë të shëndetit publik, të cilët duhet të bëjnë vlerësimin dhe të marrin masat për të parandaluar shpërthimin e një epidemie, e cila do ta ndërlikonte edhe më shumë një situatë dramatike, që pritet të përkeqësohet, pasi parashikimet tregojnë se deri në fundjavë do të kemi përsëri reshje. Ajo që bën përshtypje, dhe e thekova që në fillim të intervistës, është se kjo është simptomë e qartë e keqqeverisjes.

Kini parasysh se Durrësi, por në përgjithësi ultësira perëndimore, janë zona ku grumbullohet ujë i madh, për shkak se janë zona depresionale. Sidomos zona e Kënetës kërkon ndërhyrje energjike, infrastrukturë të shtrirë dhe të mirëmbajtur të kanaleve kulluese, të cilët në mënyrë proaktive tërheqin ujin sa herë që kemi reshje, në mënyrë që uji të mos përmbytë banesat dhe parcelat dhe të garantohet që ai komunitet të zhvillojë një jetë normale.

Po çfarë ndodhi? U bë tre herë tashmë që brenda një kohe relativisht të shkurtër, i gjithë qarku i Durrësit, por edhe Shqipëria, edhe në shiun e parë, kalon në situatë përmbytje. Kjo i detyrohet faktit që ne nuk investojmë në pastrimin e kanaleve kulluese dhe ajo që më shqetëson është që kemi një çoroditje organizative nga pikëpamja e administrimit të këtyre kanaleve. Kanaleve të para i administron Ministria e Bujqësisë, kanalet e dyta dhe të treta i administron bashkia, në një asinkroni të plotë të punimeve, pa llogaritur faktin që fondet që i alokohen bashkive për të mirëmbajtur dhe për të thelluar kanalet kulluese shpesh nuk shkojnë për atë qëllim. Pra, është një paaftësi.

Dhe kjo është drama, sepse nuk ka sinkroni të punëve të bashkisë me pushtetin qendror. Praktikisht, në qoftë se pushteti qendror pastron një kanal, bashkitë nuk e kanë fare në axhendë pastrimin e kanaleve. Bashkitë në përgjithësi përqendrohen tek pedonalet, ndriçimi dhe i kanë aktivitete të dorës së dytë, të tretë, pa llogaritur që në fshatra as që merren fare me pastrimin e kanaleve. Prandaj ne përjetojmë një situatë dramatike: vjen uji dhe nuk largohet, sepse kanali është i bllokuar. Punimet e parashikuara dhe fondet e alokuara për këtë qëllim nuk janë kryer, dhe mendoj se është momenti më i mirë për prokurorinë dhe organet hetimore për të parë nëse këto fonde janë përdorur realisht për atë qëllim.

Patjetër. Pse nuk tërheq kanali? Sepse punimet e mirëmbajtjes, të parashikuara edhe në buxhetin e bashkisë, nuk janë kryer, ose janë kryer në mënyrë fiktive. Rezultojnë në letra, por faktikisht atje nuk është kryer asnjë punim. Prandaj kanali nuk tërheq, dhe uji del duke përmbytur banesat. Hidrovorët, pavarësisht deklarimeve se janë funksionalë, nuk kanë qenë të tillë. Hidrovorin e Porto Romanos, në Durrës, nuk tërhoqi ujin sepse niveli i pompave tek stacioni ishte mbi vijën e kullimit, rreth një metër mbi nivel. Vetëm tashti ka filluar të funksionojë, kur u ngrit uji dhe bëri përmbytjen.

Pra, kemi një gafë të madhe edhe nga pikëpamja inxhinierike. Kush e monitoroi këtë investim? Kush e mori në dorëzim? U bënë prova për këtë hidrovor para marrjes në dorëzim? Hidrovorët e vjetër funksiononin, por të rinjtë nuk kryen misionin e tyre për shkak të papërgjegjshmërisë. Një pjesë e hidrovorëve ka pompa të amortizuara, që kanë nevojë për ndërrim dhe mirëmbajtje, por fondet nuk destinohen. Ky sistem, që duhet të tërhiqte ujin aktivisht, nuk funksionon.

Më bën përshtypje se ky sistem është i shpartalluar dhe degraduar, sepse kemi vepruar në kundërshtim me rekomandimet e Bankës Botërore që në vitin 2016. Sistemi duhet të ishte nën një çati administrative, nën mbikëqyrjen e qeverisë. Por për shkak të interesave politike, kanalet e dyta u shpërndanë në administrimin e bashkive, të cilët nuk i kanë pasur prioritet.

Përgjegjësit gjenden, sepse paratë janë dhënë. Bashkitë duhet të mbulojnë edhe komunat, dhe fondet janë dhënë për mirëmbajtjen e kanaleve. Kontrolli i Lartë i Shtetit mund të kontrollojë nëse këto para janë përdorur realisht për vijat kulluese, argjinaturat dhe digat. Këto janë të verifikueshme dhe do të shihet se fondet nuk janë përdorur si duhet. Për rrjedhojë, sistemi ka ngelur i paralizuar, dhe në provën e ujit, kanalet nuk funksionuan. Hidrovorët ishin mbi nivelin e kullimit, dhe uji përmbyti banesat.

Një pjesë e madhe e banesave janë ndërtuar mbi kolektorë, çka pengon grumbullimin e ujërave. Kjo është një plagë e vjetër. Po ashtu, shkatërrimi i ekosistemit, shpopullimi dhe shpyllëzimi kanë përkeqësuar situatën. Ndërtime pa kritere, pa studime gjeologjike dhe hidroteknike kanë çoroditur ekosistemin, dhe shirat e fundit na rikthejnë pasojat e papërgjegjshmërisë për urbanizimin dhe zhvillimin e zonave.