Koka: Përmbytjet në Durrës nuk janë natyrore, por katastrofë shtetërore dhe korrupsion qeveritar

Përmbytjet në Durrës nuk janë për shkak të shiut, por pasojë e dështimit të shtetit dhe menaxhimit katastrofal të infrastrukturës, që e ka kthyer qytetin në një ‘kënetë’ të paprecedentë.

I ftuar në emisionin Task Force, gazetari Bledian Koka theksoi se përmbytjet e fundit që kanë paralizuar Durrësin dhe zona të tjera nuk janë një fatkeqësi natyrore, por një “katastrofë shtetërore”. Ai denoncoi drejtpërdrejt dështimin e qeverisë dhe korrupsionin masiv, të cilat sipas tij janë shkaku kryesor i situatës dramatike.

“Kjo nuk është një çështje e shirave, por e paaftësisë dhe mosveprimit të institucioneve. Katër ditë pas përmbytjeve, Komiteti i Emergjencave Civile akoma nuk është mbledhur, ndërsa qytetarët mbeten nën ujë. Qeveria ka shpenzuar 100 miliardë euro në 11 vite, por kanalet kulluese mbeten të bllokuara dhe infrastruktura dështoi totalisht. Ndërkohë, 450 milionë euro të marra nga qytetarët për inceneratorët nuk janë përdorur dhe qyteti është lënë në kaos”, theksoi Koka.

Gazetari shtoi se deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, i cili fajëson qytetarët për përmbytjet, janë ironike dhe përpjekje për të shmangur përgjegjësinë, ndërsa situata tregon qartë se shteti ka rënë bashkë me qeverinë, duke lënë pas një krizë që tejkalon dëmet materiale.

Pjesë nga deklarata:

Shiko, ishim duke diskutuar sot edhe me kolegët Saraçi dhe Hoxha për t’i vënë një emër asaj që po ndodh. Ajo që rezulton është se zoti Rama tha dje që ka rënë shi edhe në vende të tjera dhe e paraqiti idenë sikur shiu bie dhe kjo gjë ndodh kudo. Mirëpo, në asnjë vend, nga sa kam parë monitorimin, nuk ka qenë situata e kësaj natyre. Pavarësisht shiut që bie, zakonisht është një shi pas të cilit uji tërhiqet; pra mund të shkaktojë një dëm, por maksimumi njëditor. Sot jemi në ditën e katërt të përmbytjeve. Pra, ka katër ditë që Shqipëria është e paralizuar. Në Durrës, me shumë gjasë do të paralizohet edhe Vlora dhe Fieri, në zonat përreth. Situatat janë alarmante.

Arritëm që në mandatin e katërt ta përmbysim fjalë për fjalë edhe Gjirokastrën.

Danubi kalon mespërmes Austrisë, por nuk ndodh dhe as nuk mendohet që Danubi të mbysë Vjenën. E kupton? Rasti i Durrësit është komplet diçka tjetër, o Bledi. Në Danub, për shembull, nga Vjena dhe përgjatë gjithë Austrisë ka 18 hidrocentrale që prodhojnë energji. Edhe atje, nëse ndodh diçka, nuk mbytet qyteti.

Sot rasti i Durrësit është edhe më keq se kaq. Pse po përpiqemi t’i vëmë një emër? Sepse kemi katastrofë natyrore, por kjo nuk është katastrofë natyrore. Kjo është katastrofë shtetërore. Dhe konfirmim i katastrofës shtetërore është, për shembull, nisja sot e hetimit nga Prokuroria e Durrësit për atë që ne e përmendim prej katër ditësh dhe që Klubi e ka denoncuar prej katër muajsh, mos më shumë: hidrovorin e ri të Durrësit.

Ky është rasti konkret pse sot nuk kemi të bëjmë me katastrofë natyrore, siç zoti Rama do të donte ta cilësonte, por me katastrofë shtetërore. Meqë ra fjala te qeveria, si ka mundësi që sot është dita e katërt e përmbytjeve dhe ende nuk është mbledhur Komiteti i Emergjencave Civile?

Nesër është dita e pestë e situatës. Ndërkohë, në një shtet serioz, një shtet që kujdeset për qytetarët e vet, kur katastrofat mund t’i ndodhin kujtdo, minimalisht kryeministri del në ekran dhe thotë qoftë edhe një gjysmë fjale, i garanton qytetarët. Del vetë, nuk dërgon Belinda Ballukun, e cila në vend që ta çonte në Fier, në fakt duhet ta çonte diku tjetër.

Këtë po bëj unë në kronologji, edhe për qeveritë e tjera, që qytetarët ta kuptojnë se kjo është tregues i një katastrofe shtetërore. Pra, është shteti që ka dështuar, një shtet që nuk pastron dot kanalet. Kur ke paguar nga viti 2013 deri më sot rreth 100 miliardë euro, që kjo qeveri, Edi Rama, Belinda Balluku dhe ministrat e tjerë i kanë shpenzuar dhe shpërdoruar në 11 vjet, dhe sot kanalet janë të papastruara.

Ky është kryeministri që dje u thoshte qytetarëve shqiptarë se ju kanë mbytur bidonat që keni hedhur në kanale. Ky u mori këtyre qytetarëve 450 milionë euro për të ndërtuar inceneratorë, të cilët jo vetëm që do të kishin djegur çdo bidon të këtij vendi, por edhe, teknikisht, po të ekzistonin dhe po të funksiononin, do të kishin djegur bidonat e Malit të Zi, Kroacisë, Maqedonisë, Greqisë, madje edhe të Rumanisë e Bullgarisë, duke prodhuar energji.

Sot nuk kemi as inceneratorë. Sot kemi vetëm një kryeministër që i ka vjedhur qytetarët dhe u thotë se fajtorë janë ata që hedhin bidonat. Nëse do të kishte thënë që kanë rënë rrëshqitje dhe janë bllokuar kanalet, edhe mund ta besonim. Por të thuash që bidonat plastikë kanë shkaktuar përmbytjet, kjo është fundi, dhe ky është fundi i tij.

Nga ana tjetër, ky është edhe treguesi që bashkë me lajmin e keq ka ardhur edhe një lajm i mirë: shteti ka rënë bashkë me qeverinë. Kjo është tregues i asaj që kemi thënë prej kohësh, që kjo qeveri është në ikje. Dhe po ta shikosh, kjo qeveri nuk e merr më as mundimin të justifikohet.

Është si t’i kërkosh llogari një të arratisuri që të mbajë përgjegjësi për atë që ka bërë. Dikur propaganda përpiqej të dukej sikur shteti ishte mirë. Sot, as propaganda nuk e merr më këtë mundim. Kjo është dëshpërim.

Marrim një njeri për të cilin realisht u bëj thirrje fëmijëve ta marrin dhe ta fusin në shtëpi, se është gjynah, është edhe profesor shkencash. Gazetarët që intervistojnë nuk mund të mos jenë në konflikt interesi me situatën që po ndodh. Propaganda vazhdon e këputur, por vazhdon. Gazetari që e orienton këtë propagandë është thelbësisht në konflikt interesi, minimalisht, në mos në një hall shumë më të madh ligjor, gjë që mund të na e shpjegojë më mirë Adriana, e cila di më shumë se ne.