VIDEO/ Vjosa del nga shtrati, bllokohet një korsi e autostradës drejt Tiranës
Dalja e lumit Vjosë nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha, ka sjellë bllokimin e një korsie të autostradës, duke krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në aksin kombëtar Vlorë-Levan.
Në segmentin pranë urës së Mifolit, uji ka dalë nga shtrati dhe ka pushtuar një pjesë të autostradës, duke ngushtuar ndjeshëm rrugën.
Në sensin e lëvizjes së automjeteve nga Vlora në drejtim të Levanit, Policia Rrugore ka vendosur sinjalistikë paralajmëruese, pasi nga dy korsi lëvizjeje ka mbetur funksionale vetëm njëra. Qarkullimi po zhvillohet me vështirësi dhe nën monitorimin e forcave të policisë.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë segment, për të shmangur aksidente të mundshme.
Situata po ndiqet në kohë reale dhe në rast përkeqësimi të kushteve, nuk përjashtohet marrja e masave të tjera për sigurinë e përdoruesve të rrugës.