Video - Përmbytjet në Durrës/ 20 familje të evakuara, kritike situata në Vadardhë, Sukth dhe Katundi i Ri

Durrësi vijon të jetë një nga qarqet më problematike, si pasojë e përmbytjeve që kanë përfshirë vendin tonë prej disa ditësh.

Shtabi i Emergjencave Civile ka bërë publike disa prej zonave që paraqesin rrezik në Durrës, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Situata është agravuar 24 orëshin e fundit.

Dy nga zonat më të nxehta janë në njësitë administrative Vadardhë, Sukth dhe në Katundin e Ri, ku është instaluar plani i evakuimit ndërsa Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit e të gjitha strukturat, janë në gatishmëri dhe po koordinojnë evakuimin e banorëve.

Autoritetet bëjnë me dije se do të vijohet me një plan vlerësimi e një plan zhdëmtimi, ndërsa aktualisht, referuar të dhënave të deritanishme janë rreth 20 familje të cilat janë evakuuar në të dy këto dy zona, pra Katund të Ri dhe Vadardhë, ndërkohë që situata është dinamike.

 Aktualisht strukturat e Forcave të Armatosura ndodhen në terren dhe po evakuojnë çdo banesë që shihet si rrezik apo që paraqet rrezik për banorët.

Sakaq autoritetet po vijojnë me evakuimet e banorëve, pasi gjendja mbetet e rëndë si pasojë e përmbytjeve që kanë përfshirë Durrësin.