Niveli i ujit kalon Urën e Vjetër të Mifolit, ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve

Moti i keq dhe reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të nivelit të ujit, i cili ka kaluar mbi Urën e vjetër të Mifolit, duke e bërë të rrezikshme kalimin në këtë aks.

Për shkak të situatës së krijuar, policia ka ndaluar lëvizjen e mjeteve dhe këmbësorëve mbi urën e vjetër të Mifolit, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të shmangin qarkullimin në zonë.

Ndërkohë, situata vijon të mbetet problematike edhe në zonat përreth. Ekipet e Emergjencave Civile kanë urdhëruar evakuimin e banorëve në disa zona të rrezikuara nga përmbytjet, konkretisht në Ferras, Novoselë dhe Katund i Ri.

Autoritetet bëjnë apel për kujdes të shtuar dhe ndjekjen e udhëzimeve zyrtare, ndërsa reshjet e shiut pritet të vijojnë edhe në orët në vijim.