'Duan të ndajnë botën', Macron: SHBA-të po distancohen nga aleatët e tyre dhe normat ndërkombëtare

Shtetet e Bashkuara të Donald Trump po “distangohen progresivisht” nga disa aleatë dhe “po divorcohen nga rregullat ndërkombëtare”, tha presidenti francez Emmanuel Macron në fjalimin e tij vjetor para ambasadorëve francezë.

Në fjalimin e tij, Macron përmendi gjithashtu një formë të "agresionit neokolonial" që është gjithnjë e më e pranishme në marrëdhëniet diplomatike.

“Institucionet e multilateralizmit po funksionojnë gjithnjë e më pak në mënyrë efektive”, ankohet udhëheqësi francez, i cili beson se po shkojmë drejt “një bote fuqish të mëdha me një tundim të vërtetë për ta copëtuar planetin”. 

Macron tha se ai e hedh poshtë "kolonializmin e ri dhe imperializmin e ri" të fuqive të mëdha ndërkombëtare, si dhe "disfatizmin" përballë zhvillimeve të fundit globale.

 "Ne e hedhim poshtë kolonializmin e ri dhe imperializmin e ri, por gjithashtu e hedhim poshtë vasalizimin dhe disfatizmin", paralajmëroi Macron, duke shtuar: "Ajo që kemi arritur për Francën dhe në Evropë është një hap në drejtimin e duhur. Më shumë autonomi strategjike, më pak varësi nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina."

“Ekziston rreziku që Evropa jonë të dobësohet”, tha ai, duke thënë se mund të bëhet vendi i fundit ku ne vazhdojmë të kujtojmë “rregullat e lojës që të tjerët nuk i zbatojnë më”./ANSA.