Ndarje e papritur, Egzon Belica largohet nga Shkëndija e Tetovës

Një vendim i papritur ka shënuar merkaton e dimrit: Egzon Belica nuk është më futbollist i Shkëndijës. Mbrojtësi 35-vjeçar dhe klubi tetovar kanë mbyllur bashkëpunimin me marrëveshje të përbashkët, pas vetëm gjashtë ndeshjesh të zhvilluara në pjesën e parë të sezonit.

Ish-kapiteni i Partizanit ka kërkuar më shumë minuta dhe hapësirë në fushë, diçka që në rrethanat aktuale nuk ia garantonte ekipi kuqezi. Pas diskutimeve mes palëve, u arrit në përfundimin se zgjidhja më e mirë ishte ndarja, duke i hapur rrugë Belicës për të gjetur një ambient ku do të ketë rol më aktiv.

Belica mbetet një emër i njohur për futbollin shqiptar, veçanërisht për kontributin e tij te Partizani, ku ishte pjesë kyçe e skuadrës që riktheu titullin kampion pas 26 viteve pritje. Përvoja dhe lidershipi i tij u panë si vlera shtesë edhe për Shkëndijën, e cila e afroi në verën e vitit 2025, në një sezon të ngarkuar me angazhime në kampionat, Kupë dhe UEFA Conference League.

Në njoftimin zyrtar, klubi nga Tetova falënderon mbrojtësin strugan për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës dhe mbarësi në jetën personale.

Tashmë, e ardhmja e Egzon Belicës mbetet e hapur, ndërsa eksperienca e tij pritet të zgjojë interes te skuadra që synojnë përforcime me peshë në repartin e mbrojtjes.