Fshati Bishan nën pushtetin e ujit se s'u pastruan kanalet/ Banorët: Na u mbyt bagëtia, 3 dynym sera! Do marrim rrugët e emigrimit

Banorët e fshatit Bishan në Vlorë, po përballen me një situatë alarmante për shkak të përmbytjeve të fundit, duke mbetur tërësisht në mëshirë të fatit. Mungesa e ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse ka sjellë pasoja të rënda për jetesën e tyre, me bagëti dhe shpendë të mbytur, ndërsa banesat rrezikojnë të përmbyten plotësisht.

Sipas banorëve, kjo situatë mund të ishte shmangur nëse autoritetet do të kishin marrë masat në kohë, duke pastruar kanalet kulluese dhe duke parandaluar përmbytjet. Por neglizhenca institucionale ka bërë që sot dhjetëra familje të përballen me dëme të mëdha ekonomike. Nga pamjet e siguruara për Syri TV shihen dëmet e mëdha ku qindra hektarë tokë me ullinj, shtëpi dhe sera janë nën pushtimin e ujit.

Një nga banorët e zonës shprehet për gazetarin Gentjan Këllçiu se: “Mbi 20 kokë shpend janë mbytur. Situata është shumë e vështirë. Kam 4 krerë gjedhë dhe rreth 30 krerë bagëti të imta, të gjitha janë nën ujë. Asnjë institucion nuk na ka ardhur në ndihmë. Edhe banesat janë gati nën ujë.”- tha ai. Gjithashtu ai theksoi se, është futur vetë në ujë për t’u hedhur ushqim bagëtive, të cilat ndodhen të rrethuara nga uji që prej mbrëmjes së djeshme. Pamjet tregojnë qartë nivelin e lartë të ujit dhe dëshpërimin e banorëve, të lënë të vetëm përballë kësaj situate të rëndë.

Një tjetër qytetar shprehet se autoritetet po mendojnë vetëm tani për hapjen apo pastrimin e kanaleve kulluese, ndërkohë që këto masa duhej të ishin marrë shumë më herët. Sipas tij, situata është bërë e pajetueshme dhe, nëse gjendja vazhdon kështu, banorëve nuk u mbetet tjetër rrugë veçse të largohen nga zona dhe të marrin rrugën e emigrimit. 'Kanalet nuk i pastruan në verë, kujtohen tani. Më janë mbytur 3 dynym sera, janë prishur të gjitha. Nuk kemi marrë gjë nga shteti dhe nuk pretendojmë të marrim gjë nga ky shtet. Do marrim rrugët e emigrimit s'kemi ku vemi me'- thekson qytetari

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet shtetërore, pasi çdo orë që kalon rrezikon të sjellë dëme edhe më të mëdha. Heshtja dhe mosreagimi i autoriteteve po i lë qytetarët e Bishanit vetëm përballë një katastrofe të paralajmëruar.