Deputetja Vata denoncon gjendjen alarmante të Unazës së Burrelit: Investim 1.2 mln euro i çuar dëm

Deputetja e Partisë Demokratike për zonën e Burrelit, Denisa Vata, ka denoncuar gjendjen alarmante të Unazës së qytetit të Burrelit, e cila paraqet rrezik serioz për banorët dhe është një investim i dështuar me vlerë 1.2 milionë euro.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në SYRI TV, me gazetarin Arnold Kasrriqi, deputetja Vata u shpreh se situata është tejet shqetësuese, duke theksuar se çarjet e mëdha në rrugë rrezikojnë drejtpërdrejt edhe banesat përreth.

“Këtu poshtë janë edhe disa shtëpi që janë të rrezikuara për shkak të kësaj rruge, për shkak të çarjes së saj. Jam pa fjalë, nuk di çfarë komenti mund t’i bësh një investimi 1.2 milionë euro,” - u shpreh Vata.

Sipas saj, rruga është inauguruar në qershor, ndërkohë që Partia Demokratike e ka denoncuar problematikën që më herët në konferenca për shtyp. Megjithatë, në muajin tetor, kryeministri Edi Rama e ka paraqitur këtë vepër si një punë të përfunduar.

“Akoma pa u inauguruar plotësisht, pa iu prerë shiriti, rruga është prishur. Jam lajmëruar nga banorët, të cilët ndihen të rrezikuar. Përveçse është një investim i çuar dëm, është edhe një kërcënim real për jetën e tyre,” - theksoi deputetja.

Vata bëri me dije se Unaza e Burrelit është ndërtuar nga kompania ULZA SHPK, e cila sipas saj është denoncuar edhe më parë, përfshirë edhe në emisionin investigativ “PLUG”. Projekti është financuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), duke përdorur fonde publike.

“Kjo është vetëm një segment, më poshtë gjendja është edhe më e keqe. Ne e kemi denoncuar këtë situatë dhe nuk është marrë asnjë masë. Ka një indiferencë totale nga firma ndërtuese, nga ARRSH, nga SPAK dhe nga institucionet e drejtësisë,” - përfundoi Vata.

Deputetja kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse dhe hetim për përgjegjësit e këtij investimi, që sipas saj është një tjetër shembull i shpërdorimit të parave të taksapaguesve shqiptarë.

Vata:

Këtu poshtë janë edhe disa shtëpi që janë të rrezikuara për shkak të kësaj rruge, për shkak të çarjes së kësaj rruge.
Jam pa fjalë, nuk di se çfarë komenti mund t’i bësh kësaj 1.2 milionë euro,

Kjo rrugë është inauguruar në qershor, partia demokratike e ka denoncuar edhe në konferencë për shtyp këtë gjë dhe është nxjerrë nga kryeministri Rama në tetor si punë e përfunduar.

Akoma pa u inauguruar plotësisht, pa iu prerë shiriti është prishur.
Jam lajmëruar nga banorët pasi ndihen të rrezikuar, përveçse është një investim i çuar dëm, ndihen edhe të rrezikuar.

Ja mund ta shini vetë se në ç’gjendje është unaza e qytetit të Burrelit, e bërë nga ULZA SHPK, i denoncuar edhe në emisionin tuaj PLUG, gjithashtu është një financim i ARRSH, dhe këto janë paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Ky është vetëm një segment më poshtë edhe akoma më keq se këtu.

Ne këtë e kemi denoncuar dhe nuk janë marrë masa për këtë, pra është një indiferencë totale, qoftë nga firma që ka punuar, qoftë edhe nga SPAK, nga institucionet e drejtësisë, qoftë edhe nga ARRSH.