Sylvinho pas rinovimit me FSHF-në: Vazhdojmë së bashku, rezultatet pasqyrojnë progresin e Kombëtares
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, e rinovoi dje kontratën me Federatën Shqiptare të Futbollit për gjashtë muaj të tjerë.
Së bashku me ndihmësit e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior, ata do ta vazhdojnë projektin e tyre të paktën deri në Botërorin 2026.
Sot, ish-futbollisti i njohur i Barcelonës dhe i Manchester Cityt ka bërë një postim në rrjetet sociale, përmes së cilave e ka përmendur vazhdimin e bashkëpunimit dhe objektivin kryesor që e ka përpara vetes: kualifikimin e Shqipërisë në Kupën e Botës pasi e bëri të njëjtën gjë me kualifikimin e kuqezinjve në Kampionat Evropian.
Postimi i Sylvinhos
Vazhdojmë së bashku. Kam rinovuar kontratën me ekipin Kombëtar të Shqipërisë për 6 muaj të tjerë, duke i dhënë vazhdimësi një projekti që është ndërtuar me shumë punë, profesionalizëm dhe unitet.
Deri më tani, kemi arritur një objektiv historik: kualifikimin për herë të dytë në historinë e vendit në finalet e Kampionatit Evropian, duke shfaqur në fushë paraqitje konkurruese dhe të respektueshme, së bashku me kualifikimin për herë të parë në fazën play-off të Botërorit 2026.
Këto janë rezultate që pasqyrojnë progresin, identitetin dhe forcën kolektive të këtij ekipi. Ajo që na pret më pas do të kërkojë edhe më shumë përkushtim, punë të palodhur dhe angazhim nga të gjithë.
Ne qëndrojmë të fortë, ditë pas dite, me vendosmëri dhe zemër. Forca Shqipëri!!!