'Gjendja e fatkeqësisë natyrore'/ Xhixho: Shqipëria po përmbytet, shteti nuk mund të fshihet pas propagandës

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën e rënduar të përmbytjeve në vend, duke kërkuar shpalljen e menjëhershme të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Sipas Xhixhos, Shqipëria ndodhet përballë një situate alarmante, ku qytetarët po humbasin shtëpitë, pronën dhe sigurinë e jetës, ndërsa qeveria, sipas saj, po mjaftohet me propagandë dhe justifikime. Ajo e cilësoi këtë qasje si “papërgjegjshmëri kriminale”.

“Refuzimi për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore është një akt i qëllimshëm për t’i shpëtuar përgjegjësisë ligjore dhe dëmshpërblimit të mijëra familjeve të dëmtuara. Ky është një shtet që braktis qytetarët e vet në momentin më të vështirë,” – thekson Xhixho në reagimin e saj.

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë rendit edhe një sërë kërkesash urgjente, mes të cilave:

• Evakuimin e menjëhershëm të banorëve në zonat e rrezikuara

• Shpalljen pa vonesë të gjendjes së fatkeqësisë natyrore

• Dëmshpërblimin e plotë për çdo familje të prekur nga përmbytjet

Në përfundim të reagimit të saj, Xhixho nënvizon se shteti nuk mund të reduktohet në propagandë apo fasadë mediatike, por duhet të tregojë përgjegjësi, veprim konkret dhe mbrojtje reale të jetës dhe pronës së qytetarëve.

Postimi i plotë:

Duhet shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore menjëherë.

Shqipëria po përmbytet, qytetarët po humbasin shtëpitë, pronën dhe sigurinë e jetës, ndërsa qeveria vazhdon propagandën dhe justifikimet boshe. Kjo është papërgjegjshmëri kriminale.

Refuzimi për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore është një akt i qëllimshëm për t’i shpëtuar përgjegjësisë ligjore dhe dëmshpërblimit të mijëra familjeve të dëmtuara. Ky është një shtet që braktis qytetarët e vet në momentin më të vështirë.

Kërkohet:

– Evakuim të menjëhershëm të banorëve në rrezik

– Shpallje urgjente të gjendjes së fatkeqësisë natyrore

– Dëmshpërblim të plotë për çdo familje të prekur

Shteti nuk është propagandë, as fasadë mediatike.
Shteti është përgjegjësi, veprim dhe mbrojtje e jetës së qytetarëve.