Mbyllet aksi Qukës-Qafë Plloç/ Reshjet paralizojnë qarkullimin dhe përmbytin banesat në juglindje
Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës kanë shkaktuar një situatë kaotike në juglindje të Shqipërisë, duke sjellë bllokimin e akseve të rëndësishme rrugore, rrëshqitje dheu dhe përmbytje në disa bashki të qarkut të Korçës.
Në një raportim direkt nga terreni, gazetarja e SYRI-t, Sidorela Xhemaçi, thekson se një nga pikat më kritike është aksi rrugor Qukës-Qafë Plloç, i cili është bllokuar pjesërisht që prej mbrëmjes së djeshme pas rrëshqitjeve masive të dheut dhe inerteve.
Rrëshqitjet kanë shkaktuar edhe një aksident, ku një automjet ka pësuar dëme materiale, por fatmirësisht pa lëndime në njerëz. Autoritetet kanë marrë masa për bllokimin e aksit që lidh Korçën me Elbasanin, ndërsa forcat e policisë janë të pranishme në të dyja pikat për të orientuar drejtuesit e mjeteve drejt rrugës së vjetër. Nuk ka ende një afat kohor se kur do të përfundojë pastrimi i plotë i rrugës nga firma kontraktuese, e cila po punon në terren. Situata komplikohet edhe nga reshjet e dendura të dëborës që kanë rënë gjatë ditës së sotme.
Problematikat nuk kufizohen vetëm me bllokimin e rrugëve. Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje të shumta, veçanërisht në bashkinë e Pogradecit. Tre lumenj, përfshirë atë të Rëmenjit dhe Vërdovës, kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar vështirësi në disa fshatra. Më problematike situata paraqitet në fshatin Rëmenj, ku lumi ka vërshuar duke përmbytur banesa dhe rrugët e fshatit.
Në aksin Ersekë-Leskovik, pranë Gropave të Gëlqeres, ka ndodhur një rrëshqitje e pjesshme e rrugës, ku është vendosur sinjalistika përkatëse dhe policia këshillon drejtuesit të tregojnë kujdes të shtuar. Edhe në bashkinë e Maliqit situata është e tensionuar. Lumi Devoll, i cili shkaktoi përmbytje edhe një muaj më parë, ka sërish prurje të larta, ashtu si edhe lumi Dunavec. Aksi Maliq-Lozhan u bllokua përkohësisht gjatë natës por tashmë është i kalueshëm, ndërsa në Lozhan të Lartë raportohet për rënie gurësh. Ndërkohë, në bashkinë e Devollit, fshati Mançurisht vijon të jetë thuajse i gjithi nën ujë si pasojë e daljes së burimeve ujore.