‘Na kanë lënë në dorë të fatit’, banorët e Cërrikut mes ujit dhe dëshpërimit, akuza të forta bashkisë
Më shumë se dhjetë familje në qytetin e Cërrikut ndodhen prej mbi 24 orësh nën pushtetin e ujit, me banesat dhe gjithçka kanë të përmbytura.
Në një lidhje nga terreni, gazetarja e SYRI-t, Margarita Mëhillka raporton se situata dramatike nuk vjen si pasojë e reshjeve të dendura, por për shkak të kanaleve kulluese të bllokuara dhe të papastruara, një problem i përsëritur për të cilin banorët thonë se kanë bërë ankesa të vazhdueshme pranë Bashkisë dhe emergjencave civile, por pa marrë asnjëherë zgjidhje. Të bllokuar në shtëpitë e tyre, ata ndihen të braktisur dhe të pashpresë.
Reagimi i autoriteteve lokale përshkruhet si i vonuar dhe tërësisht i pamjaftueshëm. Sipas banorëve, vetëm pas më shumë se 24 orësh dhe pas pasqyrimit të situatës në media, në zonë ka mbërritur një fadromë për të nisur pastrimin e kanalit. Ndërkohë, përpjekjet për të komunikuar me përfaqësuesit e bashkisë kanë rezultuar të pasuksesshme, pasi këta të fundit janë larguar pa dhënë asnjë shpjegim.
Dëmet materiale janë të pallogaritshme. Një banore tregon me lot në sy se uji i ka mbytur të gjitha bagëtitë. “Me bagëti, me lopë, me dele, me dhi, komplet të mbytura. Asnjë lloj ndihme,” shprehet ajo, duke shtuar se kjo është hera e dytë që familja e saj përballet me këtë makth. Një tjetër banor rrëfen se si uji i ka hyrë brenda në shtëpi duke shkatërruar gjithçka. “U mbytëm. Kërkuam ndihmë nga bashkia, por nuk na përfilli fare,” thotë ai. Sipas tij, ndihma e vetme e ofruar ishin disa “batanije ushtarake të qelbta” dhe një shumë modeste prej 20,000 lekësh.
Për disa, situata është edhe më e rëndë. Një kryefamiljar tregon se ka mbetur pa asgjë. “U ngrita në mëngjes, s'ke ku të kaloje në ujë. Rrobat i nxora jashtë dhe m’i mori lumi komplet. Asnjë gjë s'kam brenda, e kam kasollën bosh,” dëshmon ai, duke shtuar se ndihma prej 5,000 apo 10,000 lekësh nga bashkia është një fyerje përballë humbjes totale.
Mes baltës dhe ujit që ka mbuluar oborret dhe shtëpitë, banorët e Cërrikut shprehin indinjatën e thellë për atë që e quajnë një braktisje totale nga pushteti lokal. Ata akuzojnë se zyrtarët vijnë vetëm për të bërë “foto dhe video”, por nuk ofrojnë asnjë zgjidhje konkrete, duke i lënë të përballen të vetëm me pasojat shkatërruese të përmbytjeve.