27 banesa nën ujë në Fier, banorët evakuohen me detyrim: Nuk kishim parë një gjë të tillë

Dalja e lumit Vjosë nga shtrati ka shkaktuar një situatë alarmante në disa fshatra të Fierit, ku dhjetra banesa dhe qindra hektarë tokë bujqësore janë përmbytur. Mësohet se 27 banesa janë tërësisht nën ujë, ndërsa banorët janë detyruar të evakuohen.

Në një lidhje direkte, gazetari i SYRI-t, Xhemil Beharaj ka raportuar se situata më kritike paraqitet në fshatrat Feras, Cerven, Kashisht, Ad dhe Kafaraj. Prurjet e mëdha të lumit kanë bërë që uji të depërtojë brenda shtëpive, duke arritur në nivele deri në 80 centimetra.

Përveç banesave, janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë të mbjella me kultura të stinës si pras e lakër, si dhe me drurë frutorë si ullinj, mandarina dhe agrume të tjera. Banorët e zonës shprehen se nuk mbanin mend një përmbytje të tillë prej vitesh.

Si pasojë e përmbytjeve, edhe stacioni i pompave në Kafaraj ka dalë jashtë funksionit, duke lënë një pjesë të madhe të zonës pa furnizim me ujë të pijshëm. Bashkia e Fierit dhe ndërmarrja e ujësjellësit kanë lëshuar një njoftim për banorët, duke i këshilluar të krijojnë rezerva uji, pasi furnizimi normal do të rikthehet vetëm pas tërheqjes së ujërave dhe pastrimit të depove. Deri atëherë, furnizimi do të bëhet me orare të reduktuara.

Shtabi i Emergjencave Civile ndodhet në gatishmëri dhe po monitoron situatën, duke mbajtur kontakte me banorët e prekur. Megjithatë, në terren nuk është vënë re prania e forcave të ushtrisë, ndryshe nga situatat e mëparshme. Shumë familje janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe janë strehuar tek të afërmit. Në disa raste, siç rrëfen një banor, është dashur ndërhyrja e familjarëve për të bindur të moshuarit që refuzonin të largoheshin nga banesat e përmbytura. Pjesa më e madhe e banesave të prekura ndodhen brenda argjinaturës së lumit.

Autoritetet bëjnë me dije se situata është nën kontroll, ndërkohë që banorët përballen me pasojat e rënda të shkaktuara nga vërshimi i Vjosës.