‘Dëmi 6 mln lekë, shtëpia do 2 muaj të thahet’/ Banori i përmbytur: Kam 18 vjet që përmbytem, shteti s'përgjigjet
Situata vijon të jetë alarmante në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku dhjetëra familje ndodhen prej dy ditësh nën pushtetin e ujit pas reshjeve intensive.
Banorët ndihen të braktisur nga institucionet shtetërore, ndërsa dëmet materiale në banesa janë kolosale.
Në një dëshmi rrëqethëse për gazetarin e SYRI-t, Klajdi Bodlli, një kryefamiljar tregon realitetin e hidhur me të cilin po përballet.
Banesa e tij është tërësisht e përmbytur dhe e pabanueshme. “Familjarët i kam çuar në Tiranë, te njerëzit e gruas. Kalamajtë duhet t'i çoj në shkollë. Shtëpia do të paktën dy muaj vetëm të thahet,” shprehet ai, teksa tregon se uji ka mbuluar gjithçka.
Pavarësisht se kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako, dhe ministri i Mbrojtjes, Piro Vëngu, deklaruan se ishin në terren për të ndihmuar, banori pohon se ndërhyrja ka qenë e paefektshme. “Mbrëmë erdhën, sollën ca pajisje për të zhbllokuar pusetat, por nuk funksionuan fare. Për dy ditë nuk ka ardhur askush tjetër. Vijnë, tërheqin ujin, por ai kthehet prapë. Është një lëvizje e kotë,” rrëfen ai.
Kjo nuk është hera e parë që ai dhe fqinjët e tij përballen me këtë makth. Prej 18 vitesh që jeton në këtë zonë, ai thotë se është përmbytur “me qindra herë”, por asnjëherë nuk ka marrë dëmshpërblim. “Shteti nuk përgjigjet në asnjë lloj gjëje. Ka të tjerë që janë përmbytur që vjet dhe akoma s’kanë marrë asgjë,” shton ai me dëshpërim.
Bilanci i dëmeve është i rëndë. Përveç dëmtimit të strukturës së shtëpisë, e cila ka dysheme parketi që do të duhet të prishet tërësisht, janë shkatërruar të gjitha pajisjet elektroshtëpiake dhe mobiljet. “Frigoriferi, lavatriçja, kuzhina, dhomat e gjumit... dëmi shkon në 5-6 milionë lekë, pa llogaritur shtëpinë. Edhe sikur të investoj prapë, pas një viti do të jem në të njëjtin problem,” thotë ai.
Sipas banorit, shkaku kryesor i kësaj situate katastrofike është mosfunksionimi i sistemit të kanalizimeve dhe hidrovoreve. Ai bën apel që institucionet të zbresin në terren, të shohin situatën nga afër dhe të japin një zgjidhje konkrete. “Të vijnë, të shikojnë situatën në vend, të na japin një përgjigje. Ne nuk kemi çfarë të bëjmë më,” përfundon ai.