Mishka i Amant Josifit dhe Olsi Ramës në gjyq/ Mediat gjermane: Kishin 600 punonjës në Shqipëri, vetëm një personi i morën 11 mln euro
Shtetasi Mikheil Binishavili i njohur edhe si Mishka, bashkëortak me Amant Josifin në qendrat telefonike mashtruese, që mendohet se kanë zhvatur 230 milionë euro vetëm në zonat gjermanishftolëse, pritet të dalë në gjyq në Gjermani. Amant Josifi dhe Mishka ishin drejtues të Milton Group. Ndërkohë Amant Josifi shërbente si koperturë për Olsi Ramën, vëllain e Edi Ramës. Mediat gjermane kanë publikuar detaje nga aktakuza ndaj Mishkës. Aty thuhet se në kulmin e tij, grupi Milton kishte 600 punonjës në Shqipëri
Pas vitesh hetimesh intensive të zhvilluara së bashku me Inspektoratin e Policisë Kriminale të Oberfranken-it, Zyra Qendrore për Krimet Kibernetike të Bavarisë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi të dyshuar si kreu i një rrjeti ndërkombëtar mashtrimi, për të cilin në të kaluarën është raportuar ndërkombëtarisht nën emrin “Milton Group”. Vetëm në hapësirën gjermanishtfolëse, “Milton Group” dyshohet se ka dëmtuar shumë më tepër se 1.000 persona.
I pandehuri, një shtetas 50-vjeçar me nënshtetësi izraelite dhe gjeorgjiane, u arrestua në Armeni në gusht 2023 dhe në maj 2024 u ekstradua në Gjermani. Që prej asaj kohe ndodhet në paraburgim në një institucion korrektues në Bavari. Në mesin e janarit fillon procesi gjyqësor para Dhomës së Krimeve Ekonomike Kibernetike të Gjykatës së Qarkut Bamberg. Aktakuza është pranuar pa ndryshime për shqyrtim gjyqësor.
I pandehuri, i cili nuk ka dënime të mëparshme në Gjermani, dyshohet se nga viti 2014 e deri te një aksion i gjerë bastisjesh në nëntor 2022 ka qenë pjesë e një grupi kriminal që operonte disa call-centera në vende të ndryshme (Shqipëri, Gjeorgji, Maqedoni e Veriut, Ukrainë). Punonjësit e këtyre call-center-ave bindnin klientët e mashtruar të investonin, shpesh shuma të larta parash, në një numër të madh platformash mashtruese, duke u premtuar mundësi fitimi të leverdishme (i ashtuquajturi cybertrading). Autorët shtireshin sikur ofronin platforma digjitale për tregtim të instrumenteve të ndryshme financiare. Kapitali i investuar zakonisht humbiste plotësisht. Investitorët e dëmtuar shpesh tërhiqeshin përmes fushatave mashtruese reklamuese me persona të famshëm dhe politikanë.
Hetimet shumë komplekse zhvillohen prej gjashtë vitesh së bashku me Inspektoratin e Policisë Kriminale të Oberfranken-it si dhe autoritetet hetimore të Saksonisë. Për shkak të lidhjeve ndërkombëtare të grupit kriminal dhe numrit të madh të viktimave në shumë shtete evropiane, që nga fillimi kanë qenë të domosdoshme hetime ndërkufitare. Për këtë qëllim është krijuar edhe një Ekip Hetimor i Përbashkët “Joint Investigation Team” (JIT), ku janë përfshirë veçanërisht autoritetet e ndjekjes penale nga Shqipëria dhe Gjeorgjia.
Konkretisht, i pandehuri akuzohet për dy komplekse veprash penale:
Së pari, ai dyshohet se nga fundi i vitit 2014 deri në maj 2019 ka drejtuar një call-center në Tiranë (Shqipëri) me deri në rreth 600 punonjës. Ky call-center ka operuar të paktën 28 platforma dhe ka dëmtuar rreth 180 persona nga Gjermania, Austria dhe Zvicra me një dëm total prej rreth 8 milionë eurosh. Dëmi real i pazbuluar është shumëfish më i lartë. Dokumentet e sekuestruara të kontabilitetit tregojnë vetëm për periudhën janar 2018 – maj 2019 një dëm në Gjermani prej rreth 10 milionë eurosh dhe një dëm botëror prej afro 50 milionë eurosh.
Së dyti, në vitet 2017 dhe 2018, specialistë të IT-së, me porosi të të pandehurit, kanë zhvilluar një softuer për cybertrading mashtrues me emrin PumaTS. I pandehuri dyshohet se e ka përdorur fillimisht këtë softuer në call-center-in e tij dhe më pas, nga maji 2019 deri te bastisja në nëntor 2022, e ka shpërndarë atë nga Tbilisi (Gjeorgji), së bashku me rreth 15–20 punonjës. Në bazë të këtij softueri, klientët kanë operuar rreth 400 platforma mashtruese. Gjithashtu, i pandehuri u ka ofruar call center-ave mashtruese edhe shërbime të tjera, si ndihmë për krijimin e kompanive fiktive. Në këtë mënyrë, ai dyshohet se ka kontribuar në dëmtimin e 540 personave nga hapësira gjermanishtfolëse me një shumë totale prej rreth 44 milionë eurosh.
Një viktimë nga Austria humbi brenda vetëm shtatë muajsh mbi 11 milionë euro në faqen e rreme të investimeve “CryptoKartal”. Edhe këtu, dëmi real i pazbuluar është shumëfish më i lartë. Dokumentet e sekuestruara tregojnë vetëm për periudhën shkurt 2019 – dhjetor 2020 një dëm botëror prej të paktën rreth 130 milionë eurosh.
Në total, Zyra Qendrore për Krimet Kibernetike të Bavarisë i atribuon të pandehurit një dëm të dokumentuar përmes kallëzimeve penale prej rreth 52 milionë eurosh dhe një “dëm të errët” botëror prej të paktën rreth 180 milionë eurosh. Thuhet se atij vetë i kanë shkuar rreth 29 milionë euro. Ai duhet të përgjigjet tani për mashtrim të kryer në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim kriminal në dy raste. Ligji parashikon për secilin rast një dënim me burg nga një deri në dhjetë vjet.
Hetimet kundër anëtarëve të tjerë të grupit kriminal nga Zyra Qendrore për Krimet Kibernetike të Bavarisë dhe Policia Kriminale e Oberfranken-it vazhdojnë. Disa të dyshuar ndodhen aktualisht në paraburgim. Në dhjetor 2025, një figurë drejtuese nga një call-center i Milton Group në Maqedoninë e Veriut u dënua përfundimisht me katër vjet burg.