Reshje shiu dhe dëbore në Elbasan, ja si paraqitet situata e motit në të gjithë Qarkun
Qarku i Elbasanit vijon të ndikohet nga moti i paqëndrueshëm, me reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar, ndërsa gjatë orëve të fundit kanë nisur edhe reshjet e dëborës në lartësi mbi 600 metra. Sipas të dhënave nga Stacioni Meteorologjik Elbasan, gjatë natës së kaluar janë regjistruar rreth 17 mm reshje shiu.
Nga komunikimi me sektorët e Emergjencave Civile në bashkitë e qarkut dhe Sallën Operative të Policisë Elbasan, bëhet me dije se në Bashkinë Elbasan ka prezencë dëbore në njësitë administrative Labinot Mal, Gjinar, Funarë dhe Zavalinë. Trashësia e dëborës deri në këto momente nuk i kalon 5 cm dhe qarkullimi rrugor vijon normalisht, pa probleme.
Përroi i Zaranikës paraqitet në kuota mbi mesataren, ndërsa lumi Shkumbin ka shënuar rritje të ndjeshme të prurjeve, me një rritje shumë të madhe të nivelit krahasuar me ditën e djeshme.
Në Bashkinë Cërrik, gjatë mbrëmjes së djeshme është ndërhyrë pranë stacionit elektrik te ish-uzina e naftës, ku ishte grumbulluar një sasi e konsiderueshme uji. Operacioni u krye me dy mjete zjarrfikëse, njëri prej të cilëve në mbështetje nga MZSH Elbasan.
Në Bashkinë Belsh, liqeni kryesor ka rritur kuotën dhe ka dalë nga shtrati. Që prej ditës së djeshme janë hapur portat e shkarkimit. Si pasojë, segmenti rrugor Belsh–Trojas është bllokuar për shkak se ndodhet nën ujë, pas shkarkimit të digës së Trojasit.
Në aksin rrugor nacional Elbasan–Qafë Thanë kanë nisur reshjet e dëborës. Qarkullimi vijon, por me shpejtësi të reduktuar.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, si pasojë e kushteve të motit janë raportuar stakime dhe defekte në disa zona malore të qarkut, konkretisht në njësitë administrative Stëblevë dhe Orenjë të Bashkisë Librazhd, Skënderbegas dhe Kukur të Bashkisë Gramsh, si dhe në njësitë administrative Klos dhe Mollas të Bashkisë Cërrik.