Plug investigon kompaninë 4-AM, përfituese e lejeve fotovoltaike dhe 240 milionë euro tendera

Emisioni investigativ Plug, publikoi të dhëna të reja, që ngrenë dyshime për lidhje dhe përfitime të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga kompani të cilat kanë marrë tendera publik. Një prej kompanive, që është zbardhur nga përgjimet e Evis Berberit me Belinda Ballukun, është dhe 4-AM shpk. Kjo kompani, ka përfituar mbi 240 milionë euro tendera publik, leje për park fotovolatik si dhe është përfshirë në skandalin e bllek autit energjitik me pasoja edhe në vendet e Bashkimit Europian.

Nga Syri TV

Shoqëria 4-AM rezulton të jetë një nga kompanitë, që rezulton se ka përfituar miliona euro tendera publik nga institucionet në varësi të Zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Emisioni investigativ Plug, publikoi të dhëna të reja nga hetimet e SPAK, ku rezulton se kjo kompani po hetohet gjithashtu për një nga tenderat e unazës së madhe të Tiranës, me vlerë 28 milionë euro.

Kompania 4-AM, duket se ka qenë një nga përfitueset e rregullta të tenderave nga ARRSH dhe jo vetëm, që gjatë viteve të fundit kapin vlerën e 240 milionë eurove. Por jo vetëm kaq. Shoqëria 4-Am, ka përfituar edhe licensë për park fotovolatik. Fillimisht, licensa u dha për një kompani që zotërohej nga familjarët e Maksim Ethemaj, i cili mban detyrën e drejtorit të Autorietetit të Aviacionit Civil, post që më herët e ka mbajtur shefja e tij aktuale, Belinda Balluku. Për të përfituar lejene ndërtimit për këtë park fotovolatik, kompania e familjarëve të Maksim Ethemaj, u sponsorizua edhe nga kompania 4-Am, e cila më pas, do të bëhej zotëruese direkte e këtij parku fotovolatik duke blerë aksionet e kompanisë së familjarëve të kreut të aviacionit civil.

 Por leja për ndërtimin e parkut fotovoltaik, firmosur nga Belinda Balluku për familjarët e vartësit të saj, do të jepej në një tokë të grabitur, me firmën e kryetarit të bashkisë së Fierit, Armando Subashi. Ky i fundit ka nxituar të firmosë kontratën e dhënies së sipërfaqes prej 30 mijë metër për kompaninë GREEN PLUS ENERGY, për një çmim qesharak, pa marrë më parë miratimin e Këhsillit Bashkiak sic e këkrojnë ligjet në fuqi. E për më tepër kontrata është nënshkruar për 20 vite, ndërkohë që ligji parashikon që për këtë kategori toke, kontrata maksimale mund të jetë deri në 10 vite. 

Plug tregoi gjithashtu, se nëpërmjet kompanive të lidhura me 4-AM, dalin në skenë edhe emra të tjerë, si ish-drejtori i arrestuar i bashkisë Tiranë, Redi Molla, i njohur edhe ai për krijiin e skemës 5D. 

Kompania 4-AM, ka fituar tendera nga sektori i energjisë. Një prej tyre, është ai me object “Spostimi i linjave që preken nga gjurma e aksit rrugor Thumanë – Vorë – Kashar dhe instalimi i shtyllave të demontuara Fier- Rrashbull” në vlerën 3.7 milion euro. Sipas përcaktimeve teknike kjo kompani do të duhet të spostonte linjat e transmetimit që ishin në gjurmën e rrugës që do ndërtohej në aksin Thumanë-Kashar. Sipas një publikimi ekskluziv të portalit Hashtag.al, pikerisht ky tender do të shkaktonte kolapsin e sistemit të trasmetimit në Shqipëri .

 Më 21 qershor të vitit 2024, papritur u shkëput energjia elektrike në pjesën dërrmuese të Shqipërisë për afro 30 minuta e njëjta gjë kishte ndodhur dhe në Malin e Zi, Bosnje e në Kroaci.  Belinda Balluku shpjegoi për mediat se kolapsi i ndodhur orientonte si shkak një problem me mbingarkesën e rrjetit. Por një raport i hartuar nga vartësit e saj në OST raportonte se problematika nuk ishte ngarkesa e kondicionerëve, por pikërisht linjat e transmetimit të cilat do të spostoheshin nga kompania 4 A-M, objekt i tenderit që ju raportuam më sipër.

E njëjta situatë është përsëritur dhe në datën 5 Janar të vitit 2025, për të cilin OST raportoi se kishte patur sërisht problem me linjat e transmetimit 220 V. Të gjitha këto ndërprerje janë një kosto shumë e lartë për bizneset dhe qytetarët, faturë për të cilën nuk po mban askush përgjegjësi pasi nuk nisi kurrë një hetim. Emisioni PLUG ka siguruar dhe pamje filmike të shtyllave të cilat rezultojnë se nuk janë ende në funkson pasi mungojnë përcjellësit, ose e thënë më thjeshtë mungojnë telat.