Kosovë, temperaturat zbresin në -9°C, Kurti u bën thirrje qytetarëve: Shmangni qarkullimin

Qarkullimi në rrugët e Kosovës pritet të jetë i rrezikshëm gjatë natës së sotme, për shkak të kushteve atmosferike dhe uljes së ndjeshme të temperaturave. Sipas njoftimit zyrtar të bërë nga kryeministri Kurti, parashikohet që temperaturat të zbresin deri në -9 gradë Celsius, çka rrit ndjeshëm rrezikun e ngricave në rrugët e lagura nga reshjet e shiut.

Të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë në terren dhe po punojnë vazhdimisht për të lehtësuar qarkullimin dhe për të garantuar sigurinë rrugore. Autoritetet bëjnë thirrje për zbatim rigoroz të ligjit për sezonin dimëror, duke theksuar domosdoshmërinë e pajisjes së automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë.

Qytetarëve u kërkohet që të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë natës, ndërsa ata që janë të detyruar të qarkullojnë, të vozisin me kujdes të shtuar dhe t’u përshtaten kushteve të vështira atmosferike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka apeluar për bashkëpunim nga qytetarët, duke theksuar se institucionet po bëjnë maksimumin për sigurinë rrugore, por kontributi i secilit është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet dhe situatat e rrezikshme.

Postiimi: 

Të dashur qytetarë,
Sonte është natë kritike sa i përket qarkullimit në rrugët e Kosovës. Kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9°C, paraqet rrezik të shtuar, pasi rrugët e lagura nga shiu pritet të ngrijnë.
Të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin. Është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për sezonin dimëror, përkatësisht pajisja e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë. 
U bëjmë thirrje të gjithëve që sonte të mos lëvizin nëse nuk e kanë të domosdoshme. E nëse megjithatë duhet të qarkullojnë gjatë natës së sontme, atëherë patjetër të bëjnë vozitje të kujdesshme duke ju përshtatur kushteve atmosferike.
Ne po bëjmë maksimumin për t’ju dalë në ndihmë andaj edhe ju lutemi të kontribuoni në rritjen e sigurisë duke shmangur lëvizjet e panevojshme.
I juaji,
Albin Kurti