Kryediplomati gjerman thirrje SHBA-së: Respekto sovranitetin e Groenlandës!

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul i kërkoi të mërkurën Shteteve të Bashkuara të respektojnë parimet e Kombeve të Bashkuara, mes retorikës së përtërirë të Uashingtonit rreth marrjes së mundshme të kontrollit të Groenlandës.

"Parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe paprekshmërisë së kufijve të sanksionuara në Kartën e OKB-së, duhet të respektohen", tha Wadephul në Paris pas takimit me homologët e tij francezë dhe polakë.

Wadephul tha se vendimet për të ardhmen e Groenlandës i takojnë popullit të Groenlandës dhe Mbretërisë së Danimarkës, së cilës ishulli i përket zyrtarisht.

Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në rajonin e Arktikut, duhet "natyrisht të diskutohen brenda kornizës së NATO-s".

Ai mirëpriti komentet e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, i cili tha në Uashington se do të zhvillojë bisedime me qeverinë e Danimarkës, anëtare e NATO-s, javën e ardhshme.

"Kjo është sigurisht e arsyeshme dhe e denjë për mbështetje," tha Wadephul.

I pyetur nëse veprimi ushtarak i SHBA-së kundër Groenlandës do të shënonte fundin e NATO-s, Wadephul tha se nuk kishte “as dyshimin më të vogël” se aleanca do të mbetej e bashkuar.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kohët e fundit ngriti përsëri çështjen e aneksimit ose blerjes së Groenlandës, duke përmendur interesa të sigurisë kombëtare.

Trump e ka paraqitur blerjen e saj si pjesë të një gare strategjike në rritje në Arktik që përfshin fuqi të tilla si Kina dhe Rusia, si dhe një mënyrë për të siguruar akses në minerale kritike./ DPA News.