VIDEO/ ‘Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore’, Xhemal Gjunkshi: Ky moment i rëndësishëm
Këshilltari për çështje sigurie në PD, Xhemal Gjunkshi i ftuar në Edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV me Armela Ferkon, theksoi mungesën e një shtabi të qeverisë për menaxhimin e situatës emergjente pas përmbytjeve.
Ai kujtoi përvojat e tij si shef i shtabit të Forcave të Armatosura gjatë situatave të vështira në vitet 2009-2012, ku qeveria PD organizonte shtabin e emergjencës, raportonte çdo natë për nevojat e qytetarëve dhe siguronte ndihma konkrete.
Gjunkshi bëri thirrje që qeveria të shpallë urgjentisht gjendjen e fatkeqësisë natyrore për zonat e Durrësit, Lezhës, Shkodrës, Gjirokastrës dhe të tjera të prekura, duke organizuar grupe pune për vlerësimin e dëmeve konkrete të familjeve dhe bizneseve. Ai theksoi rolin e shtetit si garant i sigurisë dhe i mbështetjes për qytetarët në situata emergjente.
‘Si qytetar dhe si përfaqësues i opozitës, i Partisë Demokratike, absolutisht nuk kam dëgjuar dhe nuk kam parë që të ketë të ngritur një shtab i cili të drejtojë. Nën drejtimin e kujt?
Unë kam qenë vetë shef i shtabit të përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Dhe ne kemi patur situata shumë më të vështira sesa kjo situatë që është sot. Kjo është lule, në raport me çfarë situate kam kaluar unë, ka kaluar Partia Demokratike. Flas për vitet, domethënë 2009, 2010, 2011, 2012. Po.
Por, qeveria ngriti direkt shtabin e emergjencës, të drejtuar nga zëvendëskryeministri dhe mblidheshim çdo natë në Shkodër, ku raportonim me saktësi dhe jepnim informacion, dinim në çdo moment nevojat e banorëve, të qytetarëve, të zonave që ishin përreth. Dinim nivelin e sasisë së ujit, dinim, pra çdo gjë. Dhe s'kemi fjetur gjumë. Kemi qëndruar pa gjumë.
Kemi rrezikuar dhe jetën. Edhe ushtarët. Unë kam vetë momente të cilat i kam përjetuar dhe që kanë, kanë qenë momente kritike. Qoftë për pilotin, për të drejtuar helikopterin për të vajtur në Velipojë në kushte ekstreme për të dërguar ndihma humanitare, qoftë ekipet e forcave speciale të komandove, për të vajtur dhe për të dhënë ndihmë konkretisht në përmbytje që kishin ndodhur.
Ndërsa sot, ndërsa ne këtu, Partia Demokratike dhe kryetari i Partisë Demokratike sot, i ka bërë thirrje qeverisë, edhe unë në emër të Partisë Demokratike, i bëj thirrje që urgjentisht zonën e Durrësit, zonën e Lezhës, të Shkodrës, të Gjirokastrës dhe zonat e tjera, pa i paragjykuar, por që janë përfshira, janë përmbytur, direkt të shpallen zona të fatkeqësisë natyrore. Dhe shteti të ndërhyjë.
Ky, ky moment është shumë i rëndësishëm sepse shteti duke i ngritur dhe duke dhënë këtë, pra duke e ngritur në këtë nivel, duke shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore zonën e Durrësit, ku vetëm sot janë rreth mbi 4000 familje, biznese, ndërtesa, objekte që janë shkatërruar, që janë përmbytur, dhe shumë objekte të tjera, qoftë në Shkodër, qoftë në Lezhë, Gjirokastër apo kudo në pjesë të tjera të territorit të vendit, duhet që të ngrihen grupet e punës.
Grupet e punës duhet të shkojnë në terren dhe të përcaktojnë qartë dhe të shikojnë familja X në lagjen X të qytetit të Durrësit, çfarë ka ndodhur? Çfarë dëmi ekonomik i është shkaktuar secilës familje? Te biznesi për të vajtur. Por ky biznes, nuk është, është biznes, fatkeqësi natyrore ka patur, ka dhe do të ketë. Por është shteti ai i cili përgjigjet. Shteti është i zoti, është babai, është, është prindi i cili kujdeset për qytetarin’, u shpreh Xhemal Gjunkshi ndër të tjera në SYRI TV.