Blushi në Durrës: Përmbytjet i shkaktoi korrupsioni, banorët të dëmshpërblehen për çdo dëm
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, vizitoi sot familjet e përmbytura në Durrës, ku dëshmoi situatën katastrofike, qindra shtëpi të përmbytura dhe prona të shkatërruara nga uji.
Ai denoncoi se kjo tragjedi nuk është pasojë e motit, por rezultat i korrupsionit qeveritar dhe keqmenaxhimit të fondeve publike, duke akuzuar qeverinë dhe Bashkinë e Durrësit për vjedhje miliona euro që duhej të shkonin për kanalizime dhe hidrovore.
Blushi u shpreh qartë, banorët të dëmshpërblehen për çdo qindarkë të humbur, shteti të mobilizohet menjëherë dhe përgjegjësit politikë të mbajnë llogari për këtë fatkeqësi kriminale.
Postimi:
Është më shumë se katastrofike.
Me qindra shtëpi janë përmbytur, krejt prona të shkatërruara, pasuri e përmbytur nga uji.
Shteti, 48 orë pas kësaj tragjedie që nuk ka ndodhur për shkak të motit, por për shkak të një qeverie të korruptuar dhe të një bashkie që ka vjedhur të paktën 46 milionë euro, është zhdukur duke i lënë këta banorë në mëshirë të fatit.
I bëj thirrje të menjëhershme Edi Ramës, ndërprit pushimet!
Shteti duhet të çohet në këmbë, të vijë pranë banorëve, të cilët duhet të dëmshpërblehen, çdo qindarkë dëm që ka ardhur si pasojë e një babëzie, e një korrupsioni të pafe që sot po rëndon mbi supet e këtyre familjeve.
Është kriminale ajo çfarë ka ndodhur në Durrës.
Fatkeqësi natyrore mund të ketë një herë në 20 vjet, por jo çdo vit.
Këto janë pasojat e korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës.
Këto janë pasojat e korrupsionit, përmbytjet, sepse kanë vjedhur lekët e kanalizimeve.
Lekët e ujësjellësit i kanë vjedhur, lekët e hidrovoreve që nuk punojnë i kanë vjedhur, i kanë futur në xhep.
Prandaj fshihet Emirjana Sako që duhet nxjerrë për zverku nga zyra.
Kjo është kriminale!