'Përmbytjet nuk janë nga shiu, por nga shteti'/ Eksperti rrëzon alibinë e ‘gatishmërisë’, dështimin i qeverisë Rama

Në kohën kur pamjet e shtëpive dhe tokave bujqësore nën ujë dominojnë lajmet, përgjigja zyrtare mbetet e njëjtë: “Strukturat janë në gatishmëri të plotë”. Megjithatë, sipas ekspertëve, kjo “gatishmëri” e shpallur nuk është gjë tjetër veçse pranimi i një dështimi të paralajmëruar. Katastrofat e përsëritura, nga zjarret e verës te përmbytjet e vjeshtës, nuk janë fatkeqësi të pashmangshme natyrore, por rezultat direkt i një zinxhiri neglizhence institucionale, planifikimi të gabuar urban dhe mungesës së plotë të një strategjie parandaluese.

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri Tv, me gazetarin Edvin Parruca, eksperti i pyjeve dhe mjedisit, Abdulla Diku, u shpreh se përmbytjet e përsëritura në Shqipëri nuk janë pasojë e shiut apo e “tekave të natyrës”, por rezultat i drejtpërdrejtë i dështimit shtetëror, mungesës së planifikimit dhe neglizhencës së qëllimshme institucionale.

Sipas tij, zjarret e verës, betonizimi i qyteteve dhe mungesa e investimeve në infrastrukturë parandaluese kanë krijuar një skenar të paralajmëruar katastrofash, ku çdo reshje shiu kthehet në emergjencë kombëtare. Eksperti theksoi se deklaratat për “gatishmëri” të strukturave shtetërore, të bëra vetëm pasi dëmi ka ndodhur, përbëjnë mashtrim publik dhe dëshmi të një shteti që reagon vetëm për kamera, ndërsa qytetarët lihen të përballen vetëm me pasojat.

Pjesë nga deklarata:

Së pari duhet të themi që, për fat të keq, ne vazhdojmë të përjetojmë katastrofa dhe nuk nxjerrim mësime prej tyre. Nuk nxjerrim kurrë mësime. Bien zjarre në verë, themi se situata do të përmirësohet dhe, në vitin pasardhës, situata bëhet edhe më e keqe. Përmbytemi, pastaj themi se do të nxjerrim mësime, do të përmirësohemi, dhe më pas përmbytjet shkaktojnë dëme edhe më katastrofike. E njëjta gjë ndodh edhe me tërmetet. Nuk them që tërmeti mund të parashikohet, por sigurisht strukturat duhet të jenë të pajisura, të stërvitura dhe në gatishmëri maksimale.

Për fat të keq, në Shqipëri kemi plane për çdo gjë: për përmbytjet, për zjarret, për çdo lloj fatkeqësie natyrore. Problemi është se këto plane ose nuk lexohen, ose nuk njihen, ose thjesht ekzistojnë për dekor, për të krijuar idenë se i kemi, dhe kur vjen puna, gjendemi në situata paradoksale.

E kam thënë vazhdimisht, dhe çdo njeri që merret me aspektet teknike të kësaj terminologjie e di fare mirë që gatishmëria do të thotë t’i paraprish një ngjarjeje. Do të thotë të kesh një plan, një studim, një ekip, një buxhet, një zinxhir komandimi, grupe pune dhe struktura funksionale, në mënyrë që kur të përballesh me rrezikun, pasojat të jenë minimale. Dëmet në jetë njerëzish, që janë më kryesoret, të shmangen sa më shumë, po ashtu edhe dëmet në prona dhe infrastrukturë.

Ne kujtohemi për përmbytjet ditën që bie shiu. Nuk kemi parë asnjë kronikë gjatë verës që të tregojë se po punohet me hidrovorë, me sisteme kullimi, me sistemime malore, me prita për të reduktuar shpejtësinë e rrjedhjes në lumenj dhe përrenj. Asgjë nga këto. Gjatë verës i djegim pyjet masivisht dhe pastaj çuditemi se sa shpejt vjen uji nga maja e malit në qytet, duke shkaktuar përmbytje.

Në male i kemi djegur dhe shkatërruar pyjet, ndërkohë që në qytete kemi ndërtuar vetëm beton. Infrastrukturë gri kudo. Nuk kemi infrastrukturë të gjelbër, pra sipërfaqe që mund të përthithin dhe mbajnë një sasi të caktuar uji, as infrastrukturë blu, që është më komplekse, si krijimi i pellgjeve apo lagunave që mund të përballojnë presionin e shtuar të ujit në raste të tilla. Ne kemi vetëm beton dhe uji nuk ka ku të shkojë. Ai zhvendoset aty ku gjen rrugë.

Ndërtojmë edhe hidrovorë që nuk funksionojnë dhe pastaj përmbytemi. Gjithçka bëhet në mënyrë të pakoordinuar, pa ekspertizë teknike, pa plane reale evakuimi, përshtatjeje dhe parandalimi, dhe më pas habitemi pse ra shiu dhe u përmbytëm.

Për fat të keq, kjo situatë nuk do të përmirësohet. Përkundrazi, do të ashpërsohet. Sa më pak infrastrukturë të gjelbër të kemi në qytete, sa më pak investime në pyje dhe në sistemet e kullimit, aq më shumë përmbytje, katastrofa dhe dëme do të kemi në çdo drejtim.

Nuk duket se ka ndonjë reflektim nga ana tjetër. Kryeministri Rama, për shembull, vetëm sot kam parë tre qëndrime të tij. Njëri ishte i risjellë nga koha kur ishte në opozitë, gjatë përmbytjeve të mëdha në veri, kur ndodhej vetë në mes të ujit me varkë dhe thoshte se ishte faj i qeverisë dhe jo i natyrës. Sot nuk e kemi parë më, nuk e dimë se ku është.

Më pas tha se edhe vendet fqinje patën probleme, por se askush nuk i akuzoi qeveritë e tyre. Dhe në fund tha se njerëzit hedhin mbeturinat ku të munden dhe për këtë arsye bllokohen kanalet dhe ndodhin përmbytjet. Pra, kush e ka fajin? Qeveria, natyra, apo qytetarët?

Askush nuk mund ta fajësojë natyrën. Natyra është diçka ndaj së cilës duhet të përshtatesh. Vendet e zhvilluara janë përshtatur. Mjafton të shohim vendet e Beneluksit, si Holanda, të cilat jetojnë nën nivelin e detit dhe një fatkeqësi të dikurshme e kanë kthyer në atraksion turistik dhe e menaxhojnë në mënyrë të shkëlqyer.

Ne, për fat të mirë, 99% e territorit e kemi mbi nivelin e detit. Do të mjaftonte të mos bllokonim kanalet dhe uji do të ikte vetë. Por mungojnë dy elementë kryesorë: përkujdesja e strukturave shtetërore në investime, mirëmbajtje dhe parandalim, si dhe sjellja e komunitetit. Megjithatë, edhe këtu ka përgjegjësi shteti, sepse janë dhënë leje ndërtimi në buzë lumenjsh dhe përrojesh.

Mbetjet janë një tjetër problem madhor. Prej 30 vitesh flasim për to. Nuk janë problem vetëm mjedisor, por edhe shkaktar direkt i përmbytjeve. Ato bllokojnë kanalet dhe hidrovorët, ashtu si sot, ashtu si edhe 35 vite më parë.

Menaxhimi i mbetjeve, i pyjeve, i mjedisit, i lumenjve dhe i baseneve do të na kishte çuar në një situatë krejt tjetër. Por duke qenë se shteti, bashkitë dhe institucionet nuk zgjedhin të punojnë siç duhet, qytetarët përballen me këto situata, duke u vënë në rrezik jetën dhe pronën.

Nuk besoj se ka ndonjë shtet europian ku ministri shkon për inspektim teknik vetëm për të bërë foto. Inspektimet i bëjnë inxhinierët, teknikët dhe specialistët e fushës. Ministri nuk shkon për inspektim teknik, ashtu siç nuk shkon një qytetar të kontrollojë punën e një kirurgu.

Këto deklarata për “gatishmëri” janë demode dhe një mashtrim i madh. Po të ishim realisht në gatishmëri, këto situata nuk do të ndodhnin. Gatishmëri nuk është të reagosh pasi uji ka hyrë në shtëpi apo zjarri ka mbërritur në oborr.

Edhe në kohën e Enver Hoxhës kishte përmbytje, por jo në këto përmasa, sepse investimi ishte real dhe secili bënte punën sipas profesionit. Inxhinieri ishte inxhinier dhe mbante përgjegjësi për punën e tij.