Ibrahimovic kurorëzon ‘Fenomenin’: Ka qenë dhe mbetet më i miri i të gjitha kohërave
Debati mbi futbollistin më të madh të historisë është një nga temat që gjithmonë ndan opinionin sportiv, sidomos për shkak të ndryshimeve të epokave dhe evolucionit të lojës. Megjithatë, për Zlatan Ibrahimovic nuk ka asnjë dilemë. Ish-sulmuesi suedez e ka të qartë se kush qëndron mbi të gjithë: Ronaldo Nazário, i njohur si “Fenomeni”.
I ftuar në emisionin, Ibrahimovic u shpreh hapur dhe pa hezitim: “Për mua, Ronaldo ka qenë dhe mbetet lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Ka shumë futbollistë të mëdhenj, por për mua ai është numri një”.
Sipas Zlatanit, madhështia e Ronaldos qëndron edhe te fakti se ai shkëlqeu në një epokë kur nuk ekzistonin rrjetet sociale apo platformat moderne të videove. “Nuk kishte Instagram apo YouTube. Shkoja në bibliotekë, kërkoja video dhe fshihesha për të parë driblimet dhe lëvizjet e tij. Doja të mësoja ato truke”, tregoi suedezi.
Ibrahimovic shpjegoi se stili i tij është ndërtuar duke u frymëzuar nga dy figura ikonike: Muhammad Ali dhe Ronaldo ‘Fenomeni’. “Muhammad Ali-në e shikoja në televizor, në kohën kur gjithçka ishte bardhë e zi. Vëzhgoja mënyrën si fliste dhe si sillej. Nuk ishte arrogant. Si fëmijë, menjëherë desha të zbuloja kush ishte. I thashë vetes: dua të jem si ai, por në futboll”.
Pikërisht në atë periudhë, duke ndjekur ndeshjet, Ibrahimovic pa për herë të parë Ronaldon dhe, sipas tij, aty lindi admirimi për një lojtar që do të shënonte përgjithmonë historinë e futbollit botëror.