Bylykbashi në Durrës: Përmbytjet katastrofë nga dora e pushtetit, të bëhet auditim i investimeve të 25 viteve

Durrësi është përballur sërish me përmbytje masive, duke e kthyer situatën në disa zona në një katastrofë të mirëfilltë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, i pranishëm në terren, e cilësoi situatën si një “katastrofë të shkaktuar nga dora e njeriut”, duke drejtuar gishtin e akuzës drejt pushtetit qendror dhe vendor.

Sipas tij, përgjegjësia është e drejtpërdrejtë dhe i takon jo vetëm kryetares së Bashkisë Durrës, por edhe kryeministrit. Kjo situatë vjen pavarësisht investimeve të konsiderueshme, ku ai thekson se mbi 30 milionë euro janë shpenzuar vetëm për sistemet e kanalizimeve në qytet, ndërsa 19 milionë euro të tjera janë investuar për ndërtimin e një hidrovori të ri, i cili duket se nuk e ka zgjidhur problemin.

Fakti më alarmues sipas Bylykbashit është se zona të cilat historikisht nuk ishin prekur nga përmbytjet, vetëm gjatë këtij viti janë përmbytur tre herë.

Bylykbashi denoncon se fondet publike janë investuar në mënyrë korruptive, pa zgjidhur problemet reale të qytetarëve. Për këtë arsye, kërkohet gjetja e përgjegjësisë deri në fund.

Ai  u bën thirrje institucioneve të drejtësisë, veçanërisht Prokurorisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, që të veprojnë menjëherë duke audituar në mënyrë të plotë të gjitha investimet e kryera gjatë 25 viteve të fundit, periudhë gjatë së cilës Bashkia e Durrësit është drejtuar nga Partia Socialiste.

“Paratë derdhen, buxhetet shpenzohen, por halli i qytetarëve mbetet i njëjtë”, theksohet në deklaratën e Bylykbashit. Si një ndër shkaqet kryesore të përmbytjeve ai identifikon mbylljen e një kanali të ujërave të larta, me gjatësi 2.6 kilometra, i cili kalonte përgjatë kodrës së qytetit.

Bllokimi i këtij kanali, fakt i pranuar sipas tij edhe nga vetë kryetarja e bashkisë, ka bërë që i gjithë vëllimi i ujit të devijohet dhe të përfundojë në zonën e ish-Kënetës, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme. Pasojat për banorët janë dramatike.

Shumë familje kanë parë pasuritë e tyre të shkatërrohen për herë të tretë brenda një viti.  Bylykbashi thekson se ka raste kur qytetarët kanë marrë kredi për të riparuar dëmet nga përmbytja e parë, dhe tani gjenden sërish të goditur, pa marrë asnjë kompensim.

Gjithashtu, ai vie në dukje një trajtim selektiv dhe politik në dhënien e dëmshpërblimeve: ndërsa 90 familje kanë marrë kompensim 100%, mbi 340 familjeve të tjera u është akorduar vetëm 25% e vlerës së dëmit. Ai e cilëson këtë si“selektivitet politik” dhe një “padrejtësi e dorës së njeriut”, e manifestuar si në mënyrën “kriminale” të shpenzimit të fondeve publike, ashtu edhe në trajtimin e qytetarëve pas fatkeqësisë.

Bylykbashi:

Këtu është një situatë katastrofike. Është qartësisht një katastrofë e shkaktuar nga dora e njeriut, nga dora e pushtetit. Kjo është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë jo vetëm thjesht e bashkisë së Durrësit, e kryetares së bashkisë, por e kryeministrit.

Janë shpenzuar mbi 30 milionë euro në Durrës vetëm për aspektet e kanalizimeve. 19 milionë euro janë vetëm për hidrovorin e ri. Situata është kjo. Janë zona të cilët më parë nuk janë përmbytur, janë përmbytur këtë vit tre herë.

Durrësi e ka këtë problem të madh dhe asnjëherë nuk janë investuar para për të zgjidhur hallin e qytetarëve. Janë investuar në mënyrën më korruptive të mundshme. Këtu duhet patjetër që të gjendet përgjegjësia deri në fund. Opozita do të bëjë çmos për ta nxjerrë deri në fund përgjegjësinë. Por Prokuroria duhet të veprojë menjëherë, Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të auditojë në mënyrë totale investimet që janë bërë në këto 25 vite që qeveriset Bashkia e Durrësit nga Partia Socialiste, ku paratë derdhen, buxhetet shpenzohen, halli i qytetarëve mbetet i njëjtë.

Është bërë hidrovor i ri, i cili nuk ka zgjidhur problemin. Janë harxhuar 19 milionë euro vetëm për hidrovorin dhe sot situata është kjo. Është mbyllur kanali i ujërave të larta që shkon përgjatë Kodrës së qytetit të Durrësit, është mbyllur 2.6 km, siç e reklamon vetë kryetarja e Bashkisë, duke bërë të pamundur që ai, ai kanal i madh të mbledhë ujërat dhe e gjitha përfundon në zonën e ish-Kënetës. Dhe qytetarët më pas gjenden në këtë situatë ku janë shkatërruar për herë të tretë brenda një viti pasuritë e tyre. Ka njerëz që kanë marrë kredi vetëm për të zgjidhur problemin e përmbytjes së parë, i ka zënë kredia e tretë, nuk kanë marrë kompensimin.

Janë 90 familje që kanë marrë 100% kompensim dhe mbi 340 familje të cilët u akordohen vetëm 25%. Pra, edhe këtu selektivitet politik. Kjo është padrejtësi e dorës së njeriut, jo vetëm në mënyrën kriminale si janë shpenzuar paratë publike, por dhe në mënyrën kriminale si trajtohen kur halli u ndodh. Nuk i shërbejnë këtyre njerëzve të vjet ditën kur ka ndodhur katastrofa. I shërbehet gjatë gjithë kohës përpara që kjo katastrofë të mos ndodhte asnjëherë.