Allegri bën llogaritë: Championsi kërkon 74 pikë, titulli 86–88. Milani duhet të qëndrojë aty deri në pranverë

Massimiliano Allegri ka bërë një analizë të detajuar të garës për objektivat kryesorë të sezonit, duke dhënë shifra konkrete si për Champions League, ashtu edhe për “scudetto-n”.

Në konferencën për shtyp, trajneri i Milanit theksoi se me fitoret e fundit të Romës dhe Juventusit, kuota për një vend në katërshen e parë është rritur ndjeshëm.

“Championsi tani kërkon rreth 74 pikë. Do të jetë, si gjithmonë, shumë e vështirë të mbyllësh kampionatin në katër vendet e para”, deklaroi Allegri.

Sa i përket titullit kampion, trajneri kuqezi mendon se pragu është edhe më i lartë.

“Për scudetto mendoj se duhen nga 86 deri në 88 pikë”, u shpreh ai, duke lënë të hapur mundësinë që gara të mos kufizohet vetëm tek Interi dhe Napoli.

Sipas Allegrit, Juventusi mbetet një skuadër e fortë dhe mund të luftojë deri në fund, por duke pasur parasysh se e ka mbyllur fazën e parë me 36 pikë, do të duhet një kthim shumë i fortë prej 50–52 pikësh.

I pyetur për Milanin, Allegri ishte i qartë: “Ne shikojmë vetëm veten tonë. Duhet të jemi të aftë të qëndrojmë aty deri në pranverë”.

Për ndeshjen ndaj Genoas, ai konfirmoi mungesën e Nkunku, ndërsa la të hapur mundësinë që Pulisic dhe Leao të nisin nga minuta e parë.

“Kanë luajtur pak bashkë, ndaj do të shohim çfarë mund të japin. Leao duhet të shënojë gola, si të gjithë sulmuesit”, tha Allegri.

Në stol do të jetë Fullkrug, ndërsa për Modricin, që pritet të luajë titullar, trajneri përdori vetëm fjalë vlerësimi, duke e cilësuar si shembull perfekt për të rinjtë për pasionin, përulësinë dhe dashurinë e tij për futbollin.