Trafik mjetesh luksoze nga jashtë... Sekuestrohet BMW M-8 me vlerë 140 mijë euro, i vjedhur në Gjermani

Vijon operacioni policor i koduar “Stolen Line”, i fokusuar në goditjen e trafikimit në Shqipëri të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë vendit. Me rastin e fundit të zbuluar, shkon në 5 numri i automjeteve të sekuestruara që nga nisja e këtij operacioni.

Si rezultat i punës hetimore të specialistëve të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, u konstatua dhe u sekuestrua një automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 mijë euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.

Automjeti u ndalua në zonën e Vorës, ku u procedua penalisht blerësi i mjetit, njëkohësisht drejtues i tij në momentin e ndalimit, shtetasi E. D., 39 vjeç.

Në vijim të hetimeve, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim shtetasin F. H., 42 vjeç, me shtetësi kosovare, i cili dyshohet se ka trafikuar automjetin në Shqipëri me qëllim shitjen e tij. Punohet për kapjen e tij.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.