Bllokohen rreth 350 pasagjerë në Brindisi, ishin nisur drejt Rinasit nga Bergamo dhe Bologna

Rreth 350 pasagjerë, të cilët udhëtonin nga Bergamo dhe Bologna drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e Brindisit, pasi fluturimet e tyre janë devijuar dhe kthyer për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.

Pasagjerët, që kishin si destinacion përfundimtar Shqipërinë, vijojnë të qëndrojnë në ambientet e aeroportit të Brindisit, pa një zgjidhje konkrete për vazhdimin e udhëtimit. Ata shprehen se kompania ajrore nuk u ka dhënë asnjë informacion të qartë mbi situatën, duke shkaktuar pasiguri dhe tension.

Si pasojë e mungesës së komunikimit dhe zgjidhjeve alternative, pasagjerët kanë nisur protesta në aeroport, duke penguar përkohësisht zhvillimin normal të proceseve dhe shërbimeve.

Sipas dëshmive të tyre, kompania ajrore Wizz Air i ka lënë të braktisur, pa ofruar akomodim, transport alternativ apo sqarime mbi oraret e reja të fluturimit. Pasagjerët kërkojnë ndërhyrje dhe zgjidhje të menjëhershme, ndërsa situata në aeroport mbetet e tensionuar.