Rusia dërgon një anije të marinës për të ruajtur cisternën e naftës që ndiqet nga forcat amerikane
Rusia ka dislokuar mjete të flotës së saj detare për të shoqëruar një cisternë nafte që po ndiqet nga forcat amerikane në Oqeanin Atlantik, raportojnë CBS News dhe BBC.
Anija, e cila aktualisht nuk ka ngarkesë, është përdorur më parë për transportin e naftës bruto venezueliane dhe të martën besohej se ndodhej mes Skocisë dhe Islandës. Ajo kishte ndryshuar më herët emrin nga Bella 1 në Marinera dhe ishte riregjistruar nën flamurin rus, pasi autoritetet amerikane tentuan ta sekuestronin në Karaibe.
Muajin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi vendosjen e një “bllokade” ndaj cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela, duke akuzuar qeverinë e Karakasit për shkelje të sanksioneve dhe trafik droge.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë të cituar nga CBS News, SHBA po planifikon të hipë në bordin e cisternës dhe synon sekuestrimin e saj, jo fundosjen. Komanda Jugore e Ushtrisë Amerikane ka deklaruar se forcat detare janë “të gatshme dhe vigjilente” për të vepruar ndaj anijeve të sanksionuara.
Rusia ka reaguar duke thënë se po e ndjek situatën “me shqetësim”, ndërsa Ministria e Jashtme ruse deklaroi se anija po lundron në ujëra ndërkombëtare në përputhje me të drejtën detare dhe se po i kushtohet një vëmendje “joproporcionale” nga SHBA dhe NATO.
Sipas ekspertëve të së drejtës detare, ndryshimi i emrit dhe i flamurit të anijes nuk e pengon një veprim të mundshëm amerikan, pasi autoritetet bazohen në identitetin teknik dhe historikun e sanksioneve të mjetit lundrues.
Situata krijon rrezik për një përplasje diplomatike mes SHBA-së dhe Rusisë, në një kohë tensionesh të larta ndërkombëtare pas arrestimit të ish-presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga forcat amerikane.