Kapen në flagrancë me 5 kg drogë dy të rinjtë në Tropojë

Dy 22-vjeçarë janë vënë në pranga nga policia në Tropojë. Arrestimi i tyre ka ardhur pasi u kapën në flagrancë duke shitur 5 kg kanabis.

Policia ka sekuestruar sasinë e drogës, automjeti me të cilin ishte transportuar dhe një shumë parash. I arrestuari me iniciale I. M. mësohet se po i shiste drogën 22-vjeçarit tjetër i cili u prangos gjatë operacionit.

Njoftimi:

“Tropojë/ Finalizohet nga Komisariati i Policisë Tropojë, në bashkëpunim me DVP Kukës, operacioni policor i koduar “Start 2026”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.        

Kapen në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Astë, duke kryer shitblerjen e 5 kilogramëve kanabis, vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike, automjeti me të cilin ishte transportuar dhe një shumë parash. 

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara për shitblerjen e një sasie lënde narkotike, Komisariati i Policisë Tropojë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Kukës,  organizoi dhe finalizoi në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Start 2026”.    

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:  I. M., 22 vjeç, banues në fshatin Astë dhe S. A., 22 vjeç, banues në Tiranë.  Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Astë, në momentin kur shtetasi I. M. po i shiste lëndën narkotike, shtetasit S. A.       

Qesja me lëndë narkotike kanabis, me peshë 5 kilogramë, që u gjet gjatë kontrollit në automjetin e shtetasit I. M., u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe një shumë parash.  Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.