Shqiptarët vodhën koleksionin e orëve luksoze/ Si u zbulua grabitja spektakolare me vlerë mbi 1 mln euro
Dy të dyshuar për vjedhje: 25 kronografë me vlerë totale 913 mijë euro u vodhën në Misano të Italisë në vitin 2023. Dy shqiptarë, të moshës 44 dhe 24 vjeç, akuzohen tani për vjedhjen. Karabinierët i gjurmuan ata pasi u vunë flakën tre makinave
Nga Lorenzo Muccioli, IL RESTO DEL CARLINO
Gjithçka nis nga një zjarrvënie e qëllimshme, por përfundoi duke u përqendruar te një kasafortë e zbrazur dhe një vjedhje me vlerë mbi një milion euro, e kryer në Misano të Italisë në vitin 2023, kur nga një apartament u vodhën para cash dhe 25 orë luksoze. Për këtë episod, tashmë janë nën hetim dy shtetas shqiptarë, përkatësisht 44 dhe 24 vjeç (të mbrojtur nga avokatët Stefano Caroli dhe Sara Arduini). Kjo përbën pikën e kthesës së hetimit të kryer nga karabinierët dhe të koordinuar nga Prokuroria e Riminit.
Zanafilla e ngjarjes
Hetimi nis nga djegia e tre automjeteve në Cattolica, e ndodhur në janar 2024. Flakët shkatërruan tre makina të parkuara në rrugë, të gjitha të lidhura me familjen e zgjeruar të ish-bashkëshortes së një 44-vjeçari shqiptar, i cili që në fillim u bë i dyshuari kryesor. Sipas hetuesve, zjarrvënia lidhet me një kontekst tensionesh të rënda familjare, të shënuara nga denoncime, masa gjyqësore dhe akuza për përndjekje ndaj gruas.
44-vjeçari është nën hetim edhe për përndjekje, për një sërë sjelljesh që dyshohet se i kanë shkaktuar ish-bashkëshortes një gjendje ankthi dhe frike të vazhdueshme, deri në pikën që ajo u detyrua të ndryshonte zakonet e jetës, banesën dhe vendin e punës.
Armë dhe prova të reja
Gjatë hetimeve doli në pah edhe një element tjetër: gjetja e një pistolete gjysmë-automatike Beretta, që 44-vjeçari dyshohet se e mbante dhe e fshihte ilegalisht. Ky fakt hapi një tjetër front hetimor dhe e rëndoi më tej pozitën e tij penale.
Por kthesa e vërtetë erdhi me kontrollet dhe bastisjet. Gjatë tyre, karabinierët sekuestruan një telefon celular në përdorim të 24-vjeçarit shqiptar. Brenda pajisjes u gjetën foto dhe video të një kasaforte, pamje që tërhoqën menjëherë vëmendjen e hetuesve. Nuk bëhej fjalë për imazhe rastësore, por për materiale që – sipas Prokurorisë – dokumentonin fazat pasuese të një vjedhjeje shumë të madhe.
Vjedhja e madhe në Misano
Falë këtyre pamjeve, hetuesit arritën te një grabitje e madhe e ndodhur natën e dhjetorit 2023 në Misano Adriatico. Sipas akuzës, një grup i përbërë nga 44-vjeçari, 24-vjeçari dhe bashkëpunëtorë të tjerë ende të paidentifikuar, u futën në një banesë private, duke vjedhur një kasafortë, e cila më pas u hap në një vend tjetër.
Brenda saj ndodhej një plaçkë jashtëzakonisht e madhe: 25 orë me vlerë shumë të lartë, me një vlerë totale të vlerësuar 913 mijë euro, si dhe 120 mijë euro para cash.
Dëmi i përgjithshëm kalon 1 milion e 300 mijë euro.
Vendimi i gjykatës
Duke marrë parasysh rëndësinë e fakteve, vlerën e jashtëzakonshme të plaçkës së vjedhur dhe profilin e personave të përfshirë, Prokuroria e Riminit kërkoi masë sigurie arrest me burg, duke vlerësuar se ekzistonin si dyshime të forta, ashtu edhe nevoja për masa parandaluese.
Megjithatë, gjyqtari i hetimeve paraprake (GIP) e refuzoi kërkesën. Prokuroria e kundërshtoi këtë vendim duke paraqitur ankesë në Gjykatën e Rishikimit në Bolonja, duke këmbëngulur veçanërisht te rëndësia qendrore e vjedhjes së kasafortës, e cilësuar si një nga më të rëndësishmet e viteve të fundit në zonë.
Seanca para Gjykatës së Rishikimit u mbajt më 18 dhjetor. Tani pritet vendimi i gjyqtarëve, të cilët duhet të përcaktojnë nëse do të pranojnë ankesën e Prokurorisë dhe të vendosin masat e kërkuara të sigurisë, apo nëse do të konfirmojnë refuzimin e dhënë më herët.