'McGonigal nxori zbuluar diplomacinë e paligjshme të Ramës'/ Mustafaj: Zgjidhja nuk vjen nga jashtë, fati i Shqipërisë merret nga brenda

Ajo që dikur konsiderohej pika më e fortë e kryeministrit Edi Rama, aftësia e tij për marrëdhënie ndërkombëtare, është kthyer tashmë në një dizavantazh të theksuar.

Sipas analizës së Andi Mustafajt, raste si ai i ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, kanë nxjerrë në pah një rrjet marrëdhëniesh të paligjshme dhe lobimesh korruptive që kanë dëmtuar rëndë Shqipërinë dhe demokracinë e saj.

Duke folur mbi këtë çështje, Mustafaj thekson se opozita, veçanërisht Partia Demokratike, ka luajtur një rol kyç duke denoncuar me guxim dhe seriozitet këto afera, përfshirë edhe dorëzimin e një kallëzimi në SPAK për rastin McGonigal. Sipas tij, këto veprime dëshmojnë se pasojat negative të diplomacisë “ekstradiplomatike” të Ramës prekin jo vetëm imazhin e vendit, por edhe funksionimin e brendshëm të opozitës dhe demokracisë. Problemi, sipas analizës, nuk qëndron vetëm tek individi Edi Rama, por tek një sistem i tërë autokratik që ai ka ndërtuar. Mustafaj shprehet se ky sistem mbështetet në “10 shtylla”, të cilat duhet të identifikohen dhe të kundërshtohen një nga një nga opozita.

Prandaj, sipas tij zgjidhja nuk mund të vijë nga jashtë. “Zgjidhja arrihet vetëm nga brenda. Është thelbësore që ne të marrim fatin tonë në dorë,” pohon ai, duke argumentuar se një ndërhyrje e sforcuar nga jashtë nuk do të mjaftonte për të çmontuar komponentët e sistemit të ngritur.

Shqipëria, ndonëse po shkon drejt një situate problematike, ende nuk është në pikën ku ndërhyrja e jashtme është e pashmangshme, çka e bën veprimin e brendshëm edhe më urgjent. Në një kontekst më të gjerë, diskutohet edhe rëndësia e doktrinës politike, duke marrë si shembull doktrinën e re të Donald Trump, të njohur si “FAFO” (Fuck Around and Find Out).

Kjo doktrinë, që fillimisht ishte një teori, tashmë është kthyer në një praktikë politike që tregon se marrëdhëniet ndërkombëtare drejtohen nga raportet e forcës dhe interesat kombëtare. Ky shembull, sipas Mustafajt, shërben si një mësim për politikën shqiptare: rëndësia e zhvillimit të një teorie dhe doktrine të qartë, e cila më pas mund të kthehet në veprim konkret për të rindërtuar vendin.

Mustafaj:

Po përpara se të flasim për ku gjendet Shqipëria, do të thoja që duhet të përmend Flavio, sa herë të jetë e mundur që raste si rasti McGonigal tregojnë se opozita shqiptare e ka bërë rrallëherë punën e saj me një seriozitet dhe me një trimëri, kurajo shumë të madhe. Sepse ne kemi denoncuar sa kemi pasur mundësi çështjen e McGonigal. Partia Demokratike e ka çuar edhe kallëzim në SPAK çështjen e McGonigal me prova të shumta mbi marrëdhënien e tij me Edi Ramën dhe paligjshmërinë e kësaj marrëdhënie dhe pasojat që kjo marrëdhënie ka krijuar negative për Shqipërinë dhe në veçanti për opozitën shqiptare duke gjymtuar kështu demokracinë.

Pra ndonjëherë duhet pak kohë që të dali e vërteta, por unë jam krenar në këto momente që bëj pjesë në një partie e cila nuk ka frikë të denoncojë dhe të çojë lart flamurin e luftës ndaj antikorrupsionit dhe pasojave negative që ajo krijon. Përsa i përket Edi Ramës, kjo, rasti i McGonigal nxori pak më shumë në pah atë që ne kemi thënë, por i cili janë metodat e diplomacisë së Edi Ramës nëpër botë. Ju përmendët rastin e humorit, do të thoja që Edi Rama zbuloi që edhe humori është politik. Është e rëndësishme kjo sepse ju e dini që në Shqipëri ai shtyn atë konceptin e mos e ktheni politike, ndërkohë që ai po mëson që në arenën ndërkombëtare edhe humori është armë politike. Çdo gjë është politike dhe ka pasoja, mund të ketë pasoja shumë të mëdha dhe nuk i ka mbi Edi Ramën por mund t'i ketë mbi Shqipërinë dhe kjo është problematika e madhe.

Në rastin e zotit McGonigal ne kuptojmë që Rama kur nuk arrinte ato synimet e veta duke përkulur shpinën, se ai pranonte çdo gjë që i kërkohej në mënyrë që të blente në një farë mënyre paqen, ai shkonte edhe më larg duke bërë lobing, por edhe lobing nëpërmjet korrupsionit të funksionarëve të lartë të shteteve të ndryshme. Zoti McGonigal është një rast, një rast që fatmirësisht do të thoja drejtësia amerikane arriti ta zbulojë, por nuk është i vetmi dhe raste si McGonigal ka shumë nëpër Europë dhe nëpër botë. Dhe neve duhet që me një vendosmëri të madhe, me një durim të arrijmë t'i identifikojmë sa më shumë prej tyre që të nxjerrim zbuluar pra veprimtarinë e Edi Ramës në arenën ndërkombëtare.

Situata e tij aktualisht është e keqe, ne e shohim nga sjellja e tij, nga e cila është shumë më pak humoristike, nga sjellja e tij e cila është shumë më pak në aspektin e show-t dhe spektaklit që ai bën. Ne shpresojmë që do rritet intensiteti i presionit mbi të derisa të arrihet në rrëzimin e tij ose largimin e tij nga qeveria.

Unë jam nga personat që mendoj që arrihet vetëm nga brenda. Sepse është thelbësore që ne të marrim fatin tonë në dorë, sepse në qoftë se ajo arrihet nga jashtë, e cila ka pak gjasa që të ndodhë, kjo është e vërteta, Shqipëria nuk është aktualisht në arenën ndërkombëtare në të njëjtën situatë që ishte Venezuela, por shkon drejt asaj pike por nuk është akoma në atë pikë. Por edhe në qoftë se një ndihmë e tepërt do të thoja vjen nga jashtë, ne mund ta shohim që mbase nuk do jemi në gjendje të qeverisim vendin, sepse Edi Rama është një, por ajo që ka vendosur ai në Shqipëri është një sistem i tërë dhe nuk mjafton vetëm ikja fizike e tij në qoftë se vjen e sforcuar nga jashtë, që të bien komponentët e ndryshëm të sistemit që ai ka krijuar.

Unë kam shkruajtur një manifest ku i kam kushtuar 10 pjesë, që e quaj 10 shtyllat e sistemit të autokracisë që ka instaluar Edi Rama në Shqipëri dhe ne si opozitë duhet që t'i përgjigjemi secilës prej këtyre 10 shtyllave, në mënyrë që të jemi në gjendje të shtymë sa më shumë prej tyre dhe të rindërtojmë më pas vendin tonë.

Flavio, faleminderit që e përmende se është shumë e rëndësishme. Përmende rëndësinë e doktrinës dhe teorisë, sepse praktika e një dite është teoria e një dite më parshme ose e një jave më parshme ose e një muaji më parshëm. Në Shqipëri ne kur mundohemi të bëjmë teori dhe doktrinë, na thonë shpesh, me sigurisht të shtyrë nga propaganda e regjimit, 'aman ç'është kjo teori, nuk fitohet me teori, nuk fitohet me doktrinë'.

Mirëpo praktika e një dite ka qenë teoria e një dite tjetër. Faleminderit që i jepni rëndësi dhe duhet t'i japim sa më shumë. Sepse kjo doktrina FAFO, ka qenë teori para disa javësh, para disa muajsh, para disa vitesh dhe nuk i thoshte njeri Trumpit mos bëni teori, por ai punonte me ekipet e veta që mbas nxjerrjes së kësaj teorie, si ta venin atë në zbatim. Dhe zbatimi erdhi fatmirësisht për Amerikën jo shumë më vonë se ç'erdhi teoria dhe ne nga kjo duhet të frymëzohemi që dhe ne në Shqipëri, të nisemi të punojmë njëherë nga brenda, pra të punojmë njëherë për veten tonë mbi teori dhe doktrinë, që të realizojmë teoritë edhe doktrinat tona dhe kjo është diçka thelbësore. Ajo që tregon Trump sot nëpërmjet FAFO-s është rëndësia e raporteve të forcës në arenën e politikës ndërkombëtare dhe të interesave të shteteve. Nuk e them këtë në kuptimin negativ, është normale që një shtet të ndjekë interesat e qytetarëve të vet, edhe është normale që në arenën ndërkombëtare kur përballen shtete, raportet e forcave të jenë ata që vendosin outcome-in, përfundimin e një situate dhe nga kjo ne duhet të frymëzohemi do të thoja në politikën shqiptare.