Përmbytje shtëpishë dhe tokash bujqësore pas reshjeve të mëngjesit në qarkun Elbasan, si paraqitet gjendja
Gjatë orëve të mëngjesit është shtuar intensiteti i reshjeve të shiut në qarkun e Elbasanit, duke shkaktuar problematika në disa bashki.
Sipas raportimeve të korresporndentes së SYRI, Margarita Mëhillka, në bashkinë Belsh, si pasojë e reshjeve të dendura, është evidentuar prani uji në disa banesa të tjera, përveç dy rasteve të raportuara më herët, si dhe rrezik për disa shtëpi të tjera. Në akset rrugore të bashkisë janë konstatuar inerte në rrugë, të cilat janë pastruar dhe aktualisht nuk raportohet asnjë problem për qarkullimin.
Në bashkinë Cërrik, në Njësinë Administrative Shalës, disa banesa rrezikohen si pasojë e bllokimit të një kanali kullues dhe prurjeve të mëdha të ujit. Bashkia Cërrik është njoftuar për marrjen e masave të nevojshme.
Në bashkinë Elbasan, janë përmbytur 5 banesa në zonën e Uzines 12 të ish-Kombinatit Metalurgjik, për shkak të bllokimit të kanalit kullues nga punimet që po kryen firma “Salillari” në kuadër të Koridorit 8. Mjetet e firmës janë nisur drejt zonës për të normalizuar situatën.
Në Njësinë Administrative Gjergjan dhe në vijim në fushën e Muriqanit, raportohet përmbytje e tokave bujqësore si pasojë e bllokimit të kanalit KK3. Për situatën është njoftuar Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Korçë për ndërhyrje.