Reshjet e dendura sjellin përmbytje dhe evakuime në Lezhë, niveli i lumenjve mbetet i lartë

Gjatë 24 orëve të fundit, territori i Qarkut Lezhë është përfshirë nga reshje të dendura shiu. Sipas të dhënave nga Stacioni Meteorologjik Ushtarak i Gjadrit, sasia e reshjeve ka arritur në 47 mm.

Nga bashkia Lezhë raportohet se puna për përballimin e situatës ka vijuar deri pas mesnate, në ndihmë të banorëve të rrezikuar nga përmbytjet. Është asistuar dhe evakuuar një familje në fshatin Ishull-Shëngjin, njësia administrative Shëngjin.
Gjithashtu, një familje në fshatin Kakarriq, njësia administrative Balldren, ka kërkuar ndihmë për vendosjen e thasëve me rërë pranë hyrjes së banesës përdhese.
Në qytetin e Lezhës, në zonën e njohur si “Ura e Cenit”, një biznes dhe një grup garazhesh janë ndihmuar me thasë me rërë për shkak të pranisë së madhe të ujit.
Nga Salla Operative e Policisë Vendore Lezhë nuk raportohen problematika të tjera.
Sipas informacionit nga Salla Operative e Policisë Kurbin dhe Emergjencat Civile, gjatë natës nuk ka pasur zhvillime të reja. Niveli i ujit në akset rrugore dhe në kanale ka rënë dhe situata paraqitet e qëndrueshme.
Në territorin e bashkisë Mirditë gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar, por pa shkaktuar problematika. Deri më tani situata paraqitet e qetë, ndërsa informacioni vijon të përditësohet.

Nga komunikimet me HEC-in e Qafmollës bëhet me dije se shkarkimet nuk kanë nisur ende, pasi prurjet kanë qenë të menaxhueshme. Hidrovorët kanë funksionuar rregullisht, ndërsa kuota e lumit Drin vijon të mbetet e lartë.

Përsa i përket procesit mësimor, autoritetet bëjnë me dije se do të ketë njoftime të mëtejshme në vazhdimësi, në varësi të situatës. Strukturat përgjegjëse mbeten në kontakt të vazhdueshëm për informacione të reja.