Dakordësia e Koalicionit të Vullnetit: Forcë shumëkombëshe për të mbrojtur Ukrainën kundër një sulmi të ardhshëm

Zyrtarët nga më shumë se 30 shtete perëndimore, pjesë e të ashtuquajturit Koalicion të Vullnetit që mbështesin Kievin në luftën e tij me Rusinë angazhohen për një paqe të qëndrueshme në Ukrainë Syri.net zbulon Pikat e dakordësisë

Në Paris, aleatët kryesorë evropianë dhe diplomatët më të lartë amerikanë u takuan me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të diskutuar mbi garancitë e sigurisë dhe masat që do të mbrojnë Ukrainën në rast të një armëpushimi në konfliktin me Rusinë. Takimi u zhvillua në kuadër të “Koalicionit të Vullnetit”, një grup prej 35 vendeve që synon të mbështesë Kievin dhe të garantojë sigurinë e tij.

Presidenti Zelensky u prit nga Presidenti francez Emmanuel Macron në Pallatin Elysee, ku zhvilloi takime ballë për ballë dhe diskutime me liderë të tjerë, duke përfshirë përfaqësues amerikanë, Kryeministrin britanik Keir Starmer, Kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe Kryeministren italiane Giorgia Meloni.

Pikë kyçe e dakordësisë së arritur në Paris përfshin:

Monitorim i armëpushimit: Do të krijohet një mekanizëm ndërkombëtar për verifikimin dhe trajtimin e shkeljeve të armëpushimit, përfshirë një komision të posaçëm.

Mbështetje ushtarake e vazhdueshme: Forcat ukrainase do të marrin ndihmë të qëndrueshme, përfshirë paketat mbrojtëse, armët dhe mbështetjen teknike për fortifikimet.

Forcë shumëkombëshe: Do të krijohet një forcë ndërkombëtare për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës në ajër, tokë dhe det.

Angazhime kundër një sulmi të ardhshëm: Koalicioni do të mbështesë Ukrainën në rast të një sulmi rus, duke përdorur kapacitete ushtarake, inteligjencë dhe iniciativa diplomatike.

Bashkëpunim afatgjatë në mbrojtje: Do të thellohet bashkëpunimi për trajnime, prodhim të përbashkët dhe shkëmbim inteligjence.

Për të koordinuar zbatimin e këtyre masave, do të krijohet një qelizë koordinimi SHBA/Ukrainë/Koalicion në Paris. Takimi në Paris u thirr në mes të një stuhie diplomatike për të formësuar një propozim për paqe që synon dhënien fund të luftës më të madhe dhe më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.