Durrës/ Emergjencat Civile: Mbi 100 banesa nën ujë, Gazetarja: Numri është shumë më i madh, niveli i ujit s'ka rënë

Durrësi po përballet me një situatë të rëndë të përmbytjeve. Edhe pse gjatë pasdites reshjet kanë pushuar niveli i ujit nuk  ka shënuar rënie për shkak të bllokimit të kanalizimeve dhe mosfunksionimin e hidrovorit. 

Gazetarja e Syri Tv, Albana Aliaj raportoi mbrëmjen e sotme se zona Shënavlash është një ndër zonat që ka qenë gjatë gjithë ditës më problematike bashkë me zonën ish-Kënetës.

Shumë banesa janë nën ujë.  Janë rreth 60 persona të cilët janë evakuuar te Kavalishenca. Emergjencat Civile raportojnë për 100 banesa të përmbytura por ajo çfarë është vërejtur në terren nga gazetarja e Syri TV, numri i banesave nën ujë është shumë më i madh.

E gjithë zona e ish-Kënetës, Shkozet dhe shumë banesa të tjera të lagjes 16, 17 janë të përmbytura

Edhe pse rreshjet e shiut kanë pushuar gjatë gjithë pasdites së sotme, mund të themi niveli i ujit është i njëjti me atë pothuajse të gjithë zonën. Nuk ka lëvizur fare, as nuk është larguar. Banorët janë të detyruar të kalojnë natën sonte pikërisht në pushtimin e ujit në ambientet e tyre. Ata kanë kërkuar ndihmë nga ana e bashkisë por dhe e emergjencave civile, por theksoj që me të rënë të errësirës situata ka qenë jashtëzakonisht e vështirë në të gjithë zonën e Durrësit.

Qarkullimi ka qenë i vështirë dhe pothuajse i pamundur në shumë rrugë dhe rrugica të Durrësit, duke paralizuar kështu Durrësin totalisht gjatë gjithë ditës së sotshme.

Për shkak të trafikut të rënduar ka qenë shumë e pamundur shkuarja në shtëpi të banorëve që kanë kërkuar ndihmë. Situata ka qenë emergjente në të gjithë zonën e Durrësit.