Gjirokastra e paralizuar/ Përroi i Fiços del nga shtrati vërshon në rrugët kryesore, bllokohen banorët

Qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshjet intensive të shiut, që gjatë pasdites kanë krijuar situatë alarmante në qytet. Problem kryesor mbetet dalja nga shtrati e përroit të Fiços, e cila ka shkaktuar përmbytje në rrugët kryesore dhe ka bllokuar qarkullimin e automjeteve.

Pamjet e siguruara nga terreni nga gazetarja Ervina Shehaj, tregojnë banorë të bllokuar në shtëpitë e tyre, kryesisht në lagjen “18 Shtatori” dhe zonën Muzeale, ku uji ka mbushur rrugët dhe ka bërë të pamundur daljen në terren.

Rruga Gjirokastër-Kakavijë aktualisht është e pakalueshme, por në disa akse si Subash dhe Shkalla e Zezë raportohet rrëshkitje dheu dhe vështirësi në qarkullim. Përroi i Çullos rrezikon lagjen Gërhot, duke shtuar shqetësimin për banorët.

Problematikat në qytet janë shtuar edhe nga ndërprerja e energjisë elektrike për shumicën e banorëve, ndërsa nuk ka ende informacion të plotë për dëmet në banesa dhe biznese. Ndërkohë, në bashkitë e tjera të qarkut nuk janë raportuar probleme të mëdha për banesat, përveç disa shkarjeve dheu.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse reshjet e shiut vazhdojnë me intensitet të lartë, situata në qytetin e Gjirokastrës mund të përkeqësohet edhe më shumë gjatë orëve në vijim.