Tension te Nigeria, Osimhen në qendër të ‘ciklonit’ pas sherrit me Lookman

Fitorja e Nigerisë me rezultatin 4-0 ndaj Mozambikut në Kupën e Afrikës nuk solli gëzim të plotë për skuadrën e “Súper Shqiponjat”. Në fushë u shënua një përplasje mes ‘yjeve’ të ekipit, Victor Osimhen dhe Ademola Lookman, që errësoi triumfin drejt çerekfinales.

Incidenti ndodhi kur rezultati ishte 3-0, gjatë një aksioni ku Osimhen nuk mori një pasim nga një nga mbrojtësit e krahut, ndërsa Lookman reagoi duke e mbrojtur situatën. Sulmuesi i Galatasaray-it shpërtheu duke thënë: “Hey hey. Eshtë sport ekipor. Më dëgjo!” Ndërsa Lookman iu përgjigj: “Ke shënuar dy gola, dy!” Kapiteni i skuadrës, Ndidi, ndërhyri për të qetësuar situatën dhe tensioni nuk shkoi më tej gjatë ndeshjes. Megjithatë, në minutën e 68-të trajneri Eric Chelle e zëvendësoi Osimhen me Moses Simon, pasi i kërkoi të qetësohej. Sulmuesi u drejtua direkt në dhomat e zhveshjes pas ndryshimit.

Pas përfundimit të ndeshjes, skuadra festoi në rreth ekipor, por Osimhen nuk ishte pjesë e këtij momenti. Lookman, i zgjedhur lojtari i ndeshjes me një gol dhe dy asistime, minimizoi incidentin: “Nuk ka problem mes meje dhe Victor-it. Është vetëm futboll. Ai është ‘ylli’ ynë, sulmues i nivelit të lartë. Jam vëllai i tij.”

Ndidi po ashtu theksoi se gjithçka ishte konkurrencë e shëndetshme dhe se skuadra mbetet e bashkuar. Trajneri Chelle shtoi në konferencë se gjithçka do të mbetet brenda grupit.

Megjithatë, sjellja e Osimhen ka nxitur kritika në Nigeri, duke e vënë në qendër të vëmendjes pas humbjes së kualifikimit për Botërorin 2026. Temperamenti i tij eksploziv ka shkaktuar reagime mediatike dhe spekulime për largimin e mundshëm nga kompeticioni.