SYRI TV/ Verifikohet pasuria e Vjosa Osmanit, Agjencia Kundër Korrupsionit nis hetimin
SYRI TV
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është vendosur nën një hetim pasuror nga Agjencia Kundër Korrupsionit e cila ka gjetur dallime të theksuara në deklarimin e pasurisë ndërmjet viteve 2024-2025. Sipas mediave në Kosovë, Osmani zotëron një banesë në një lagje luksoze të Prishtinës, një tokë, një shtëpi në Australi me vlerë mbi gjysmë milioni euro dhe disa pasuri të tjera të paluajtshme. Presidenca deklaron se nuk ka dijeni për hetimin por shprehet e gatshme që të bashkëpunojnë me autoritetet.
Mediat në Kosovë raportuan se Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes, Vjosa Osmani. Kjo pasi Agjencia ka gjetur dallime të theksuara në deklarimin e saj të pasurisë ndërmjet viteve 2024 dhe 2025.
Ndryshimet lidhen kryesisht me rritjen e kursimeve, si dhe me shtimin e shumës së parave të gatshme të deklaruara. Në dokumentet e dorëzuara për vitin 2025 vërehen lëvizje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, çka ka nxitur institucionin përgjegjës të ndërmarrë verifikime shtesë, ashtu siç parashihet me ligj.
Vitin e kaluar, në deklarimin e pasurisë, Osmani ka deklaruar se bashkë me bashkëshortin posedojnë një banesë në Prishtinë, tokë dhe një shtëpi në Australi vlera e së cilës raportohet nga mediat në Kosovë të kalojë vlerën e gjysmë milioni euro.
Presidenca deklaroi se nuk ka dijeni mbi hetimin e nisur por është treguar e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet.