SYRI TV/ Hapen portat e HEC-it të Komanit e Vaut të Dejës, përmbytje në disa qarqe të vendit
SYRI TV
Jo vetëm në Durrës, por edhe në Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Gjirokastër, reshjet e shiut kanë sjellë përmbytje dhe probleme të mëdha për banorët. KESH ka hapur portat e hidrocentralit të Komanit dhe Vaut të Dejës, duke sjellë përmbytje në zonat rurale të Shkodrës. Në Lezhë dhe Kurbin uji vërshoi në qytete dhe zona rurale, duke shkaktuar dëme të mëdha për banorët. në këto qarqe, banorët kanë akuzuar qeverinë për keqmenaxhim të situatës dhe mungesë investimesh në kanalizime. Ndërkohë, në Kukës dhe Gjirokastër janë raportuar probleme me rrëshqitje gurësh, që kanë sjellë për pasojë bllokim rrugësh dhe izolim fshatrash.
Reshjet e shiut kanë sjellë prurje të mëdha në hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës, duke sjellë për pasojë edhe hapjen e portave për shkarkimin e ujit. Nga këto dy hidrocentrale, janë duke u shkarkuar më shumë se 700 m2 ujë në sekondë, ndërsa shkarkimet kanë nisur të sjellin pasoja edhe në zonat rurale të Shkodrës.
Në fshatin Trush, janë përmbytur nga uji hektar të tërë me toka bujqësore, ndërsa uji rrezikon edhe banesat në disa zona. Banorët e Trushit të prekur nga uji deri më tani, janë shprehur të irrituar me situatën. Ata kanë akuzuar pushtetin lokal dhe atë qendror, se nuk ka marrë masa për pastrimin e kanaleve kulluese duke sjellë për pasojë përmbytje në disa fshatra.
Për shkak të reshjeve të shiut në Shkodër, raportohen disa fshatra pa energji elektrike.
Edhe në qarkun e Lezhës, reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje masive në disa lagje të qytetit por edhe në akse rrugore dhe zona rurale. Vështirësi janë evidentuar edhe në lagjen “11 Janari”, ku rrugët janë mbuluar pjesërisht nga uji i reshjeve. Ndikim të drejtpërdrejtë ka pasur edhe në institucionet arsimore, pasi oborri i shkollës 9-vjeçare “Kosova” dhe Gjergj Fishta kanë qenë të pakalueshme ndërsa është pezulluar procesi i mësimit.
Zona të përmbytura në bashkinë Lezhë raportohen në disa fshatra: Gjadër, Dajç, Kodhel, Brinisht, Oiraj, Rrabosht, Balldren, Mërqi, Kallmet etj. Sipas informacioneve janë toka bujqësore te përmbytur rrteh 880 ha. Banesa më të izoluara nga uji rreth 50, por akoma nuk kemi banesa te përmbytura. Në territorin e Bashkisë Kurbin ne total kemi këtë gjendje. Toka bujqësore të përmbytura rreth 1500 ha. Banesa të rrethuara nga uji rreth 100 banesa
Probleme janë raportuar edhe në qarkun e Kukësit, në hyrje të qytetit, në rrugën e “Prizrenit”, ku mungesa e kanalizimeve ka sjellë grumbullimin e ujit dhe të materialeve inerte, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve ndërsa në disa akse kombëtare janë raportuar rrëshqitje gurësh dhe dherash. Gjithashtu 10 fshatra janë bllokuar në Kukës, për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe reshjeve të dendura të shiut. Në bashkinë Has informohet se ka problematika në disa rezervuarëve në territorin e kësaj bashkie. Problematikë paraqesin rezervuari Helshan 2 dhe rezervuari Bera.
Akset e bllokuara:
Rruga e fshatit Tejdrinë, Njësia Administrative Ujmisht
Rruga që lidh lagjen Haravel me fshatin Lusën
Rruga e fshatrave Lojmë dhe Orçikël, Njësia Administrative Zapod
Rruga e fshatit Borje, Njësia Administrative Shishtavec
Gjithashtu, janë evidentuar dëmtime në rrugë në Njësitë Administrative:
Malzi, Kolsh, Surroj, Zapod, Shishtavec dhe Topojan.
Situata problematike ne toka nën ujë, por edhe stalla të përmbutura dhe rrugë me inerte paraqitet edhe ne Fushë Krujë. Në Gramëz, Sukthi ri, në zonën e Thumanës, Bashkia Krujë tokat janë të përmbytura duke shkaktuar dëmë të mëdha në bujqësi, teksa banorët shprehen se mungesa e kanaleve kulluese ka shkaktuar përmbytje. Toka nën ujë me dëme të mëdha janë edhe në Bilaj, Murqinë të Fushë Krujës
Edhe në qarkun e Gjirokastrës janë raportuar probleme nga reshjet e shiut, kryesisht në zonat rurale. Në njësinë Administrative Picar, fshati Odrie, rezevuari ka shfaqur probleme për shkak të rritjes së nivelit të ujit, pasi ekziston rreziku i përmbytjes së tokave bujqësore përreth.
Në Tepelenë në orët e para të mëngjesit janë shfaqur problematika në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Shkalla e “Zezë” për shkak të rënies së inerteve nga shpatet malore, ndërsa gjatë ditës rruga ka pasur bllokime të herë pas hershme për shkak të rrëshqitjeve. Probleme janë raportuar edhe në qarqe të tjera të vendit, kryesisht për mungesë të energjisë elektrike