Moti i keq/ Dy fluturime devijojnë drejt Barit, paralajmërohen vonesa në Rinas

Për shkak të kushteve të pafavorshme meteorologjike në zonën e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe në hapësirën përreth tij, dy fluturime në ardhje, të planifikuara për mbrëmjen e datës 5, janë detyruar të devijojnë drejt aeroportit të Barit, pasi nuk ishte e mundur të realizohej ulja në kushte të sigurta.

Si pasojë e devijimeve të shkaktuara nga kushtet atmosferike, priten vonesa në disa prej fluturimeve të planifikuara për sot.

Njoftimi zyrtar
Gjatë 24 orëve të fundit, për shkak të fenomeneve meteorologjike mbi dhe në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, dy nga fluturimet në ardhje të datës 5, në orët e mbrëmjes, kanë devijuar drejt Barit, për shkak të pamundësisë për të vijuar uljen në mënyrë të sigurt.

Edhe gjatë ditës së sotme kanë pasur fenomene meteorologjike të lokalizuara në zona në afërsi të aeroportit. Stafet e Albcontrol kanë akomoduar të gjitha kërkesat e pilotëve për të shmangur këto fenomene gjatë fazave të fluturimit. Për shkak të këtyre devijimeve të shkaktuara nga kushtet e motit, mund të ketë vonesa në fluturimet e sotme.

Albcontrol po e ndjek situatën nga afër për të garantuar ofrimin e sigurt të shërbimeve të lundrimit ajror.