'Buxheticid', Strazimiri: Edi Rama koka e organizatës kriminale, SPAK-u duhet të nxjerrë urdhër-arrestin

I ftuar në Intervistën e ditës në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, deputeti i PD-së Gent Strazimiri theksoi se qeveria po drejtohet nga një “organizatë kriminale” brenda shtetit, me në krye Kryeministrin Edi Rama, dhe kërkoi arrestimin e tij si hap të domosdoshëm për ndalimin e korrupsionit.

Strazimiri theksoi se rastet e fundit, përfshirë aferën e Ministres Belinda Balluku, nuk janë thjesht abuzime të izoluara, por një vjedhje masive e fondeve publike, që ai e cilësoi si “buxheticid”.

 Deputeti akuzoi kompanitë e përfshira për të përvetësuar çdo cent nga buxheti i shtetit, duke mos kryer asnjë punë reale, ndërsa institucione të tjera, si Kryetari i Këshillit të Rregullores dhe Mandateve Niko Peleshi, pengojnë SPAK-un për të zbatuar ligjin. Ai apeloi që SPAK-u të veprojë pa ndikim politik, duke dhënë urdhër-arreste jo vetëm për Ballukun, por edhe për Peleshin dhe kryesisht për Edi Ramën, “kokën e organizatës kriminale” që drejton korrupsionin në vend.

Pjesë nga deklarata:

Zyrtari, në bashkëpunim me biznesmenin që kryen shërbimin dhe fiton tenderin, e fiton atë në mënyrë të padrejtë, me qëllim që fitimi të ndahet me zyrtarin. Por në këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me këtë skemë. Kemi të bëjmë me një vjedhje 100% të fondit, rreth 1.1 miliardë, një situatë e paprecedentë, që përbën një lloj genocidi ekonomik. Për këtë arsye e kam quajtur “buxheticid”.

Firmat e lidhura me pushtetin funksionojnë si fshesë me korrent për fondet publike, duke marrë çdo cent. Rezultatet janë ato që shohim: rrugë që nuk funksionojnë, rrugë që shemben ose bllokohen, kanalizime që nuk punojnë. Në buxhet këto investime rezultojnë të realizuara, ndërkohë që në terren nuk është bërë asnjë punë.

Në këtë rast është kapur Belinda Balluku, e përfshirë drejtpërdrejt së bashku me Edi Ramën në përcaktimin e tenderave, të përmendur me emër dhe mbiemër. Të gjithë e dimë këtë situatë, por ata thjesht e mohojnë, sepse janë kapur në flagrancë dhe nuk kanë më çfarë të thonë. Mesazhi i tyre është i qartë: do të vazhdojmë të vjedhim, sepse mendojnë se askush nuk mund t’u bëjë gjë, as SPAK-u.

Në konferencën për shtyp të mbajtur së bashku me kolegët, në kërkesën për mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, u bë një pyetje shumë me vend nga një gazetar: nëse Balluku arrestohet, çfarë ndodh me Edi Ramën, i cili ka pushtet edhe më të madh për të prishur prova dhe për të intimiduar dëshmitarë?

Përgjigjja është e qartë: hapi i radhës që duhet të ndërmarrë SPAK-u është nxjerrja e një urdhri arresti për Edi Ramën. Ai është koka e korrupsionit në këtë vend dhe drejtuesi i buxheticidit. Ndryshe nga raste të mëparshme, Balluku nuk futet më në kategorinë e të sakrifikueshmëve, sepse laku po shtrëngohet gjithnjë e më shumë rreth kreut.

SPAK-u, nëse do të kryejë detyrën, duhet ta trajtojë këtë çështje si organizatë kriminale, ashtu siç e ka detyruar edhe jurisprudenca e deritanishme. Në këtë organizatë kriminale, provat proceduriale tregojnë se kreu është Edi Rama. Situata nuk mund të rregullohet me manovra kozmetike; duhet goditur koka e organizatës, përndryshe vjedhja, intimidimi i dëshmitarëve dhe prishja e provave do të vazhdojnë.

Shoqëria sot është e mpirë dhe e gjunjëzuar. Një pjesë është e shitur dhe mbron hapur këtë organizatë kriminale, ndërsa pjesa tjetër është e dorëzuar dhe pa shpresë. Kjo nuk është një situatë unike në histori, por jemi në një fazë kolapsi total.

SPAK-u ka marrë masa që janë më tepër politike sesa juridike. Në momentin që një person në një funksion të lartë merret i pandehur për korrupsion, ai nuk mund të qëndrojë në detyrë; masa e duhur është arrestimi. Pezullimi ishte një veprim i dobët dhe i pamjaftueshëm.

Sot situata është edhe më e rëndë: pas marrjes si e pandehur, Belinda Balluku ka kryer vepra të tjera penale, si intimidimi i dëshmitarëve, prishja e provave dhe pengimi i drejtësisë. Këto janë vepra të reja penale, që kërkojnë arrestim të menjëhershëm, pavarësisht debatit për kushtetutshmërinë e pezullimit.

Ajo ka vijuar të firmosë tendera me vlera dhjetëra milionë euro, duke vazhduar veprën penale për të cilën akuzohet. Nga kjo pikëpamje, as Edi Rama dhe as Niko Peleshi nuk kanë më asnjë justifikim ligjor apo politik. Detyrimi i tyre është të lejojnë funksionimin e drejtësisë dhe jo ta pengojnë atë.