Fushë Krujë - Përmbytjet nuk kursejnë as gjënë e gjallë, stalla e derrave ‘noton’ nën ujë

Edhe pse u shpenzuan miliona euro, mjaftuan pak orë reshje intensive shiu që zona të tëra në Fushë Krujë të përmbyten.

Si pasojë e vërshimit të ujit dhe keqmenaxhimit të situatës nga institucionet përgjegjëse, përmbytjes nuk i kanë shpëtuar as gjëja e gjallë.

Një stallë me derra në zonën e Fushë Krujës është përmbytur, ndërsa derrat kanë mbetur nën ujë si pasojë e reshjeve të dendura.

Problematika me përmbytjet janë hasur në shumë zona të Krujës dhe Fushë Krujës, ku më kritike paraqitet situata në zonën e Thumanë, Gramëz, Bilaj dhe Murqinë.

Situatë problematike vërehet edhe në Sukthin e Ri në Durrës, ku mijëra hektarë tokë bujqësore janë nën pushtetin e ujit.

Edhe pse ishte një situatë e paralajmëruar nga Instituti i Gjeoshkencave për institucionet qendrore dhe lokale në mënyrë që të merreshin masa për të parandaluar përmbytjet, me sa duket një paralajmërim i tillë ka rënë në vesh të shurdhër.

Dhjetëra familje të prekura nga përmbytjet e 24 orëve të fundit, nuk kanë marrë asnjë kontakt nga pushteti lokal apo emergjencat civile, duke e rënduar më tej situatën e tyre.

Edhe në Durrës situata vijon të jetë problematike, ku pavarësisht investimeve miliona euro në hidrovorin e ri, përmbytjet kanë dalë jashtë kontrollit dt institucioneve lokale.

Hidrovori i ri, për të cilin u shpenzuan 19 milionë euro, ka rezultuar totalisht i paefektshëm. Ai nuk arrin të tërheqë sasitë e nevojshme të ujit nga zona e ish-Kënetës dhe lagjet e tjera të qytetit, duke i lënë ato në mëshirë të fatit sa herë që ka reshje intensive.