Solskjaer analizon taktikat e Amorim-it te Man. United: Skema 3-4-3 është e shkëlqyer vetëm kur zbatohet siç duhet

Ole Gunnar Solskjaer ka komentuar së fundmi mbi taktikat e Ruben Amorim-it te Manchester United, në një moment kur emri i tij po përflitet për një rikthim të bujshëm në “Old Trafford” si trajner i përkohshëm. Ish-tekniku i “Djajve të Kuq”, i cili e drejtoi klubin nga viti 2018 deri në 2021, ka dhënë një analizë të detajuar mbi skemën 3-4-3, që u kthye në një nga pikat më të diskutuara të epokës ‘Amorim’.

Duke folur në emisionin “The Overlap”, Solskjaer u shpreh se kjo skemë është “shumë e vështirë për t’u përballur” kur funksionon siç duhet, por kërkon angazhim maksimal nga e gjithë skuadra. “3-4-3, ose 3-box-3, sido që ta quash, është e tmerrshme për kundërshtarin kur zbatohet mirë. Nëse tenton ta presosh lart, bëhet jashtëzakonisht e vështirë”, deklaroi norvegjezi.

Sipas tij, lojtarët duhet të ndjekin çdo lëvizje, të mbulojnë çdo hapësirë dhe pothuajse të luajnë “një më një” për ta bërë sistemin efektiv. Solskjaer solli edhe shembuj konkretë, duke përmendur Basel-in kundër Liverpool-it në Champions League, si një nga rastet e para ku kjo skemë u aplikua në mënyrë perfekte.

Megjithatë, ai theksoi se skema funksionon më mirë kundër ekipeve që ushtrojnë presion të lartë dhe shtoi se Manchester United ka pasur më shumë sukses kur ka luajtur me më pak zotërim topi. Ndërkohë, këmbëngulja e Amorim-it për të mos hequr dorë nga 3-4-3, pavarësisht rezultateve negative, u konsiderua nga shumëkush si një nga arsyet kryesore të largimit të tij.

Në këtë kontekst, rikthimi i mundshëm i Solskjaer si trajner i përkohshëm po shihet si një opsion serioz nga drejtuesit e klubit, ndërsa norvegjezi mbetet një figurë shumë e dashur për tifozët e United.